Sport

Jan Oblak – Muri i Madh në prapavijën e Atletico Madrid-it


Pati shumë habi kur Atletico Madrid-i vendosi ta bënte Jan Oblak-un portierin më të shtrenjtë në historinë e La Liga-s në vitin 2014. 14.5 milionë euro paguan “los colchoneros”, për 21-vjeçarin asokohe.

Një sezon më herët, slloveni kishte luajtur një rol kyç në suksesin e trefishtë të Benfica-s në Portugali. Megjithatë ai u pa një bast i madh për Atletico-n, pasi para tij në portë ishte Thibaut Courtois. Një portier i niveleve të larta.

Në shtatë vite te spanjollët, Oblak-u u tregoi gjithë kritikëve, apo atyre që e panë me skepticizëm këtë transferim se gabuan. Vitet e fundit ai konsiderohet si një nga më të mirët në botë në rolin e tij.

Fillimi i sllovenit te Atletico nuk ishte si titullar. Miguel Angel Moya ishte zgjidhja e parë për portën, disa muaj pas ardhjes se Oblak-ut. Megjithatë, shumë shpejt 28-vjeçari u bë titullar i padiskutueshëm.

Ai ka dëshmuar se nuk është vetëm një nga portierët më të mirë në botë aktualisht, por edhe nga më të mirët e historisë së La Liga-s.

Në gjashtë sezonet e fundit, Oblak-u ka fituar pesë herë trofeun “Ricardo Zamora”, si portieri me më pak gola të pësuar. Një rekord që e ndan me portierët legjendar të Barcelona-s, Victor Valdes-in dhe Antoni Ramallests-in.

Përveç trofeve individual, ai ka qenë një nga pikat kyçe që e ka ndihmuar Atletico-n drejt sukseseve.

Atletico ka qenë në gjendje të fitojë La Liga-n, Europa League, Superkupën e UEFA-s dhe Superkupën e Spanjës që kur slloveni kaloi në “Vicente Calderon” (‘ish-shtëpia’ e vjetër e Atletico Madrid-it, sot “Wanda Metropoliano).

Çfarë e bën të veçantë Oblak-un?

Që nga koha e debutimit të tij me Atletico-n në 2015, ai ka shumë pak kohë larg formacionit. Slloveni numëron rreth 250 paraqitje në La Liga dhe mbi 320 në të gjitha kompeticionet.

Por, nuk janë vetëm paraqitjet ato që tregojnë se Oblak-u është ndër më të mirët në botë. Edhe pse 188 centimetër, ai arrin të zgjatet në çdo cep të portës. Pozicionimi i tij në portë është një nga pikat më të forta.

Edhe pse ekziston një keqkuptim i zakonshëm, se portierët duhet të jenë sa më të gjatë, rasti Oblak-ut është ideali për ta hedhur poshtë këtë “mit”. Edhe pse nuk është aq i shkurtër.

Duke qenë se ka pozicionimin si pikë të fortë, ai nuk bën pritje spektakolare si David de Gea, apo të luajë me këmbë si Manuel Neuer. Por, ajo që ben Oblak-u është se guxon pothuajse në çdo rast.

28-vjeçari shquhet për numrin e pakët të pësimit të golave. Këtu sigurisht që ndikim ka dhe mbrojtja e fortë e Atletico-s.

Nëse pozicionimi i sllovenit është i jashtëzakonshëm, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për aftësinë që ai ka në situatat një kundër një. Pavarësisht se i është dashur të përballet me lojtarë të kalibrit të lartë si Lionel Messi dhe Crisitiano Ronaldo, ai shpesh ja ka dal t’i bëjë ballë atyre.

I qetë dhe jo i nxituar, këshu mund të përshkruhet më mirë 28-vjeçari në rastet një kundër një. Dhe kjo i detyron kundërshtaret të bëjnë gabime përballë tij.

Ndër të vetmet pika ku Oblak-u mund të përmirësohet janë pasimet. Nuk shquhet për pasime shumë të sakta dhe që mund të japë siguri në lojën me këmbë. Por, në stilin e lojës së Atletico-s, kjo nuk bie fare në sy.

Përgjatë gjithë historisë së saj, La Liga ka qenë shtëpia e shumë portierve të mëdhenj. Por, Oblak-u ka arritur gjëra të “paarritshme” më parë.

Iker Casillas-it iu deshën 306 paraqitje, për të arritur shifrën e 100 ndeshjeve pa pësuar gol. Ndërkohë, Oblak-u e arriti këtë statistikë pas vetëm 178 ndeshjeve.

Rëndësia për Atletico-n

Oblak-u u ble për 14.5 milionë euro dhe në kontratë iu vendos klauzolë 120 milionë euro. Në vitin 2018, skuadra e Chelsea-t, pasi shiti Courtois te Real Madrid-i, trokiti përsëri në derën e Atletico-s për portier.

Blutë e Londrës ofruan plot 100 milionë euro për sllovenin, një shifër që nuk ishte dhënë kurrë më parë në historinë e futbollit për një portier. Por, spanjollët nuk u tunduan.

Përkundrazi, Atletico e bëri atë lojtarin më të paguar në ekip dhe zëvendëskapiten, pas Jorge Koke-s. Edhe vetë lojtari e dëshironte qëndrimin e gjatë në “Wanda Metropolitano”, duke refuzuar ofertat e shumë klubeve të mëdha evropiane.

Për Diego Simeone-n, Oblak-u për Atletico-n është po aq i rëndësishëm sa ishte dhe Messi për Barcelona-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore