Kosova

Jam shumë krenar çfarë bëmë për Kosovën, thotë Robertson


George Robertson

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, gjatë fjalimit të tij në Parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovë, tha se ndihet shumë krenarë çfarë ka bërë NATO-ja para një çerekshekulli në Kosovë.

“Jam krenar që gjendem sot këtu në një Kosovë paqësore dhe multietnike”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij, Robertson tha se Mbretëria e Bashkuar bashkë me Francën, Gjermaninë e ShBA-të, e dinin se duhet vepruar.

“25 vjet më parë, si sekretar i Mbrojtjes në Britani, e mbaj mend takimin me ministrat e Mbrojtjes të Francës, Gjermanisë e ShBA-së, për të konsideruar çfarë dinim rreth asaj që po ndodhte në Kosovë. Ne dinim, që po të mos vepronim, Millosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij, do të vazhdonin të largonin brutalisht popullin shqiptar nga tokat e tyre”, tha ai.

“E dinim se çka duhej të bënim, dhe e bëmë. 78 ditë më vonë, arritëm qëllimin. Millosheviçi dhe ushtria e tij jashtë, NATO dhe refugjatët në shtëpi”.

Kosova të mërkurën e 12 qershorit shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s (KFOR-i) hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Rezoluta 1244 vendosi në Kosovë administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50 mijë trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja (KFOR-in).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore