Kosova

“Jam krenare me ty, Përparimit do t’ia japim përgjigjen e merituar”, Çitaku për shkarkimin e Sahatçiut


Vlora Çitaku dhe Donjeta Sahatçiu

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu, derisa e ka paralajmëruar të parin e kryeqytetit se do ta marrë përgjigjen e merituar.

“Donjetë, unë jam krenare me ty. Jam krenare me modelin e angazhimit qytetar e politik qe ti e përfaqëson. Jam krenare që një grua e re si ti ka vendosë me e vu krejt kapitalin njerëzor, intelektual dhe politik ne shërbim të vendit”, Donjetë, je dhe ke me mbetur faqebardhë. Vetëm përpara. E Përparimit përgjigjen e merituar do t’ia japim zyrtarisht. Jo në Facebook”, shkroi ajo në Facebook.

“Jam krenare sepse ti je vlerë e shtuar për në si vend. E këto lojërat e ndyta politike janë posaçërisht të rënda për gratë profesioniste e të pakompremetuara. Shkarkimi përmes Facebook është më i lehtë kur mungojnë argumentet. Jam krenare që nuk ke pranuar të jesh pjesë e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit”.

Gjatë së hënës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka shkarkuar nga pozita e nënkryetares Donjeta Sahatçiun nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila gjithashtu ka ushtruar edhe detyrën e drejtoreshës së Arsimit, pasi sipas tij, ka ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Sahatçiu.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, Donjeta Sahatçiu, nga pozita e nënkryetares dhe pozita e ushtrueses së detyrës së drejtores së Arsimit”, ka njoftuar Rama.

Në vend të Sahatçiut, Rama e ka emëruar nënkryetare të kryeqytetit dhe ushtruese e detyrës së drejtores së Arsimit, Jehona Lushaku – Sadriun, e cila sipas Ramës, është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore