Lajme

Izraeli i kërkon Katarit që t’i flasë presidentit palestinez, për qetësimin e situatës në Bregun Perëndimor


Izraeli i ka kërkuar Katarit që të bëjë presion ndaj presidentit palestinez, Mahmud Abbas.

Kjo në mënyrë që të urdhërojë forcat e sigurisë të Autoritetit Palestinez të shtojnë aktivitetet e tyre kundër militantëve në Bregun Perëndimor, veçanërisht në Jenin dhe Nablus.

Apeli drejtuar Katarit – i cili vitet e fundit është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetës midis Izraelit dhe palestinezëve – është ndër masat që Izraeli ka marrë për të bindur Abbas-in që të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm në territor.

Izraeli po përpiqet të angazhojë vende të tjera për të ushtruar presion mbi udhëheqjen palestineze në mënyrë që të parandalojë një operacion të mundshëm të kufizuar ushtarak në Bregun Perëndimor në të ardhmen e afërt.

Abbas udhëtoi në Egjipt në fillim të javës së kaluar për bisedime mbi këtë temë.

Më vonë gjatë javës, Ndihmësekretarja e Shtetit, Barbara Leaf,  vizitoi rajonin për takime me zyrtarë nga Autoriteti Palestinez dhe, nga ana izraelite.

Sipas një zyrtari të njohur me situatën, përpjekja synon “thjesht të zgjojë udhëheqjen palestineze” dhe Abbas “me sa duket nuk e kupton thellësinë e problemit.

Izraeli dëshiron që forcat palestineze të sigurisë të arrestojnë më shumë terroristë, të mbledhin më shumë armë të paligjshme dhe të parandalojnë përshkallëzimin.

Gjatë vitit të kaluar, Izraeli ka miratuar një sërë masash për të lehtësuar kufizimet dhe planet e mëtejshme përfshijnë një përmirësim të rrjetit celular palestinez në teknologjinë 4G.

“Zyrtarët izraelitë fajësojnë Abass-in për përkeqësimin e situatës në Bregun Perëndimor”, tha një zyrtar për mediumin “Haaretz”.

Qytetet veriore të Bregut Perëndimor, Jenin dhe Nablus, janë shfaqur si pika të nxehta të kohëve të fundit.

Të premten herët, një izraelit pësoi lëndime të lehta kur të shtëna me armë zjarri goditën makinën e tij pranë Nablusit në Bregun Perëndimor.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore