Bota

Izraeli duke “vuajtur” spastrimet e naftës në bregun mesdhetar


Katrani i naftës së derdhur në det pak ditë më parë ka njollosur gati 160 kilometra të vijës bregdetare të Izraelit, sipas autoriteteve izraelite.

Ndërkohë ngjarja ka shkatërruar një pjesë të madhe të natyrës dhe jetës së egër në zone.

Autoritetet janë duke këshilluar njerëzit të mos frekuentojnë plazhet në bregun mesdhetar në asnjë lloj forme deri në një njoftim tjetër.

Ushtria dhe mijëra punëtorë dhe vullnetarë ndodhen në vendngjarje për të riparuar katastrofën që ka kapluar Izraelin.

“Sipas vlerësimeve, katrani është rezultat i dhjetëra deri qindrave tone naftë të shkarkuara nga një anije”, ka bërë me dije ministria e mbrojtjes së mjedisit së Izraelit.

Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit e ka quajtur derdhjen “një nga katastrofat më serioze ekologjike” në historinë e vendit. Zyrtarët po ashtu, thanë se pastrimi mund të zgjasë me muaj, apo edhe vite.

Jeta e egër në rrezik, plazhet e mbyllura

Aktivistët dhe autoritetet kanë raportuar se katrani i naftës së derdhur ka shkaktuar një shkatërrim masiv në jetën e egër të zones.

Një balene e re me pendë ishte gjetur e ngordhur në breg të detit.

160 kilometra plazhe nga Rosh Hanikra, në jug të Libanit, Ashkelon dei në veri të Gazës janë njollosur me lëngun e zi.

Media izraelite kanë raportuar se shëndeti i disa vullnetarëve u vendos në rrezik pasi thithjes së gazrave toksikë.

“Disa prej vullnetarëve janë duke u trajtuar në spital”, shkruan mediat.

Ndërkohë, përfaqësues nga agjencitë izraelite të mbrojtjes së mjedisit gjatë deklaratës së tyre u shprehën se qeveria ishte e nënfinancuar për t’u marrë me katastrofa të tilla dhe se nuk kishte legjislacion të përshtatshëm për të parandaluar një katastrofë të tillë në të ardhmen.

Autoritetet izraelite nga ana tjetër, kanë bërë me dije se janë duke shqyrtuar masat e mundshme ligjore.

Imazhet satelitore dhe modelimi i lëvizjeve të valëve janë vendosur në ndihmë të kërkimeve për gjetjen e shkaktarit të katastrofës në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore