Shqipëria

Izoloi dhe dhunoi bashkëjetuesen në banesë, arrestohet 31-vjeçari


Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, pas zbulimit nga ana e autoriteteve të një rasti izolimi dhe dhunimi në banesë i një vajze 28-vjeçare, e cila gjendet në spital në kujdesin e mjekëve.

Për këtë rast është arrestuar 31-vjeçari Gleard Gusholli, pasi ka dhunuar dhe ka izoluar në banesë bashkëjetuesen e tij.

Nën hetim janë vënë edhe katër persona të tjerë, Besmir Nurçellari, Arjan Sheta, Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi për moskallëzim krimi.

Operacioni i koduar “Locked” është finalizuar nga Komisariati i Policisë Numër 2.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Gusholli i hoqi lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, dhe e dhunoi vazhdimisht atë, me sende të forta.

Katër personat të cilët janë vënë nën hetim nuk kallëzuan krimin, përkrahën autorin e krimit dhe kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Policia ka sekuestruar gjatë operacionit, mjete për konsumimin e lëndëve narkotike dhe lëndë e dyshuar narkotike kokainë, në banesën e 31-vjeçarit.

Ndërhyrja e Specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, u bë pas informacioneve të siguruara.

Kjo, për një shtetas që po mbante me forcë bashkëjetuesen e tij, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.

Shtetasit Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi, (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, shtoi Policia.

Statistikat

Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.

Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar pas pandemisë.

29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato, ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.

Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.

Më tej, në raport del në pah se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.

Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.

Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.

COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.

Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.

29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore