Kosova

Iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt


Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për nga dy muaj.

“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Vrasja e Liridonës pati marrë vëmendje të madhe meqë fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia kishte njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.Në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

“Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, derisa tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosjen e organit të akuzës ndër të tjera potencohet se i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

“Ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30 mijë euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë, gjithashtu, jep detaje edhe për përfshirjen e Kushtrim Kokallas në rastin e vrasjes, ku sipas Prokurorisë ky i fundit ka njoftuar Murselin me dorasin, në këtë rast Granit Plavën.

“Një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve ‘Shell’, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore