Euro 2020

Italianët kthehen në shtëpi, si kampionë të Evropës


Ata janë kampionët e rinj të Evropës dhe trofeun e kanë sjellë në shtëpinë e tyre.

Ekipi kombëtar i Italisë, është rikthyer në atdhe në orët e para të mëngjesit, nën festën e shfrenuar të tifozëve, të cilët tejmbushën segmentin rrugor drejt aeroportit dhe hyrjen përpara hotelit ku do të qëndronin heronjtë e kaltër.

Me zbritjen nga avioni, kanë qenë trajneri Roberto Mancini dhe kapetini i ekipit, Giorgio Chiellini, të cilët kanë mbajtur kupën e kampionëve, duke i dhuruar Apenineve pamjen e parë të shndritshme të trofeut.

Fatlumët e parë që shijuan pamjen, kanë qenë punonjësit aeroportualë, së bashku me përfaqësues nga Federata Italiane e Futbollit.

Më pas, rrugëtimi i italianëve ka vijuar drejt vendqëndrimit të tyre, në Romë.

Qindra tifozë qenë mbledhur përpara hotelit ku do të qëndronin “Azzuri-t”.

Pavarësisht lodhjes, autori i golit të barazimit – gol që e dërgoi ndeshjen në goditjet e 11-metërshave – Leonardo Bonucci, është shfaqur ndër më euforikët pas mbërritjes. Britmat e tij të gëzimit ishin të mëdha. Mbi të gjitha kur zbriti nga autobusi dhe u ndesh me pritjen e tifozëve.

Emocionet e mëdha nuk i kanë fshehur as lojtarët e tjerë. Një arritje e madhe për një ekip italian. Të paktë ishin ata që patën besim, përpara fillimit të garës futbollistike.

Në Wembley, kupa qëndroi vetëm 120 minuta.

Në tre vjetët e ardhshme, ajo do të qëndrojë në Romë tashmë, për t’u shijuar nga gadishullorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore