Lajme

Italia planifikon evakuim masiv rreth supervullkanit Campi Flegrei


Qeveria italiane po planifikon një evakuim masiv të mundshëm të dhjetëra mijëra njerëzve që jetojnë rreth supervullkanit Campi Flegrei pranë Napolit.

Masat e reja, të cilat përfshijnë një skemë për të kontrolluar qëndrueshmërinë e ndërtesave në zonë pas muajsh të tërmeteve të përsëritura, do të diskutohen në një takim të kabinetit.

Campi Flegrei shtrihet në perëndim të Napolit dhe është i mbushur me qytete dhe fshatra, duke përfshirë Pozzuoli, Agnano dhe Bacoli, të cilat kanë një popullsi të kombinuar prej më shumë se 500 mijë njerëzish.

Kaldera është e mbushur me 24 kratere dhe është një vullkan shumë më i madh se Vesuvius aty pranë, i cili shkatërroi qytetin e lashtë romak të Pompeit në 79 pas Krishtit.

Ai është goditur nga më shumë se 1 mijë e 100 tërmete vetëm gjatë muajit të kaluar, duke përfshirë një tërmet me magnitudë 4.0 të hënën dhe një tërmet 4.2 javën e kaluar – më i forti në zonë për katër dekada.

Rritja e aktivitetit sizmik, sipas ekspertëve, ka të ngjarë të lidhet me një fenomen të njohur si bradyseism, kur toka ngrihet ose bie, në varësi të ciklit, të shkaktuar nga mbushja ose zbrazja e dhomave të magmës nëntokësore.

Shumica prej tyre mbrojnë tezën se nuk ka një kërcënim të menjëhershëm të një shpërthimi, por me rritjen e tokës aktualisht me 1.5 centimetra në muaj, ekziston shqetësimi për ndikimin në ndërtesat lokale.

Ministri i mbrojtjes civile, Nello Musumeci, ka thënë se këtë javë evakuimet do të shkaktoheshin vetëm në rast “nevoje ekstreme”.

Hera e fundit që Campi Flegrei pësoi një shpërthim të ngjashëm tërmetesh ishte në vitet 1980.

40 mijë njerëz u evakuuan përkohësisht nga Pozzuoli aty pranë.

Shpërthimi i fundit i rëndësishëm ishte në vitin 1538.

Një nga shpërthimet e tij më të mëdha ndodhi 39 mijë vjet më parë dhe mund të ketë çuar në zhdukjen e njeriut neandertal. Magma nga ai shpërthim është gjetur në Grenlandë, 2 mijë e 800 milje larg.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore