Lajme

Italia nis fushatën e vaksinimit kundër lisë së majmunëve


Italia ka nisur fushatën e vaksinimit kundër lisë së majmunëve, pasi numri i rasteve është rritur në një kohë kur autoritetet shëndetësore po raportojnë mungesa vaksinash në mbarë botën.

Vendi ka raportuar 545 raste të lisë së majmunëve, sipas ministrisë së shëndetësisë.

Fushata ka nisur më shumë se një muaj pas vendeve të tjera që kanë parë numër më të madh të rasteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën.

Sakaq, dozat e para do të jepen në spitalin Spallanzani në Romë.

Vaksinat dhe trajtimet kanë qenë në mungesë dhe sëmundja shpesh u lihej për ta menaxhuar klinikave historikisht të pa financuara.

Sipas Spallanzani, tashmë ka 200 persona që do të vaksinohen nga e hëna e tutje, si dhe 600 kërkesa për prenotime.

Spitali ka treguar se vaksina do të jetë Jynneos, një vaksinë kundër lisë e prodhuar nga Bavaria Nordic dhe e miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave për mbrojtjen kundër lisë së majmunëve.

Të enjten pritet të nisin vaksinimet edhe në Milano.

Lija e majmunëve përhapet kryesisht nga kontakti i ngushtë, shkakton plagë të mbushura me qelb dhe simptoma të ngjashme me gripin dhe rrallë është fatale.

Deri më tash ka pasur 26 mijë e 500 raste në mbarë botën jashtë vendeve ku zakonisht përhapet.

Në korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli linë e majmunëve një “urgjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, niveli më i lartë i alarmit.

Pas lëvizjes së OBSH-së, SHBA-të shpallën linë e majmunëve një emergjencë të shëndetit publik më 4 gusht.

Ministria italiane e Shëndetësisë ka thënë se homoseksualët, burrat biseksualë dhe personat transgjinorë që së fundmi kanë kryer marrëdhënie seksuale me partnerë të shumtë, do të kenë të drejtë për vaksinën.

Po ashtu edhe stafi i spitalit që merret me rastet e lisë së majmunëve.

Rasti i parë në Itali u regjistrua më 20 maj 2022.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore