Aplikacione

Italia gjobit Google-in për abuzim të pozitës dominuese


Në Itali, mbikëqyrësi i konkurrencës ka njoftuar se ka gjobitur kompaninë teknologjike, Google, me një shumë prej 102 milionë euro për abuzim të pozitës së saj dominuese.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se ky dominim i Google-it ka ndodhur për shkak të sistemit të vet operativ Android dhe dyqanit të aplikacioneve Google Play.

“Përmes Android-it dhe dyqanit të aplikacioneve Google Play, Google-i ka një pozicion dominues, i cili e lejon atë të kontrollojë shtrirjen e zhvilluesve të aplikacioneve te përdoruesit përfundimtarë”, është shprehur rregullatori në një deklaratë.

Ai ka shtuar se thuajse tre të katërtat e italianëve përdorin smartphone, të cilët funksionojnë përmes sistemit operativ Android.

Sipas rregullatorit, Google-i ka hezituar të lejojë një aplikacion shërbimesh të automjeteve elektrike nga Enel X të quajtur JuicePass që të funksiononte në Android Auto.

Ky i fundit mundëson që aplikacionet të përdoren gjatë ngasjes dhe kjo kufizon në mënyrë të padrejtë përdorimin e tij teksa favorizon Google Maps-in, aplikacionin e vet të hartës.

Vëzhguesi ka bërë me dije se për dy vite, Google-i nuk e ka lejuar aplikacionin Android Auto çka mund të rrezikojë aftësinë e Enel X-it të ndërtojë një bazë përdoruesish.

“Sjellja e kontestuar mund të ndikojë në zhvillimin e lëvizshmërisë elektrike në një fazë të rëndësishme…me efekte negative të mundshme në përhapjen e automjeteve elektrike”, ka thënë rregullatori i antitrustit.

Lidhur me Enel X-in, ai është një sektor i zgjidhjeve elektronike të shërbimeve italiane Enel dhe JuicePass. Enel X-i u lejon përdoruesve të gjejnë stacione karikimi nëpër harta dhe të shohin detajet e tyre.

Ndër të tjera, në krye të gjobës së vënë ndaj Google-it qëndron edhe kërkesa për të vënë në dispozicion JuicePass-in në Android Auto.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore