Shqipëria

ISSH miraton indeksimin 4.1% për mbi 770 mijë pensionistë


Pensionet do të indeksohen me vetëm 4.1% në muajin tetor.

Vendimi është miratuar nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe javën tjetër pritet të miratohet edhe në qeveri.

Inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga viti 2023 deri më tani ka rezultuar 4.1% dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.

Më shumë se 770 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, do të marrin shtesë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor. Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë e 137 milionë lekë.

Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.

Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022 -gusht 2023.

Brenda muajit të ardhshëm detaje të reja pritet të publikohen edhe për skemën e re të pensioneve, ku synohet të ketë rritje të diferencuar të pensioneve.

Vit pas viti shpenzimet për indeksimet rriten më tej, për shkak të efektit mbetës për vitin pasardhës, pasi kjo është një e drejtë e fituar dhe e garantuar për çdo qytetar që trajtohet nga skema, si dhe për ata që në të ardhmen do të përfshihen në të.

Krahas këtyre rritjeve, Qeveria, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore