Shqipëria

ISHP: Konfirmohen dy nënvariante të reja të Omicron-it në Shqipëri


Dy variante të reja të Omicron-it janë konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në Shqipëri.

Bëhet fjalë për nënvariantet BA1 dhe BA2.

ISHP njofton se lajmi është bërë i ditur nga laboratori i referencës në Gjermani, ku nga totali i 556 mostrave ka rezultuar se sundon varianti BA1 i Omikron, por ka edhe prezencë në qarkullim dhe të BA2-shit.

“Gjithashtu në një përqindje shumë të ulët dhe qarkullim të variantit Delta”, shkruhet në njoftimin e ISHP-së.

Shpërndarja e rasteve BA2 është më e lartë në komunitet krahasuar me rastet spitalore.

Instituti bën me dije se, ashtu si në vendet e tjera, ky variant të kalojë në një variant dominues për shkak të trasmetueshmërisë së lartë.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje që të kryhet vaksinimi, në mënyrë që qytetarët të mbrohen nga COVID-19.

“Instituti Shëndetit Publik, u bën apel të gjithë qytetarëve të vaksinohen ndaj COVID-19 pranë qendrave shëndetësore ose pikave të përqendruara të vaksinimit. Për mbrojtjen e shëndetit është i rëndësishëm vaksinimi me të tria dozat e vaksinës anti-COVID”.

COVID-19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit

Asnjë humbje jete nuk është regjistruar gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19 në Shqipëri, ndërsa kanë rezultuar pozitivë 43 raste të reja.

Që prej fillimit të muajit mars rastet dhe humbjet e jetës nga coronavirus-i kanë parë rënie.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë, 62 pacientë janë shëruar. Ndërsa, të shtruarit në spitale janë 15, nga të cilët një është në gjendje të rënduar.

Sakaq, nga 833 testime, kanë rezultuar 30 raste aktive në Tiranë, pesë në Lushnje, dy në Gramsh dhe nga një qytetar në Sarandë, Delvinë, Fier, Kavajë, Kamëz, dhe Tropojë.

Në total, janë në gjithë Shqipërinë 497 raste aktive. Vdekjet nga pandemia janë 3 mijë e 492, që prej fillimit, dy vjet më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore