Lajme

Ish-zëvendësministri i MPB-së: Xhelal Sveçla nuk e di abc-në e shtetit ligjor, të shkojë në shtëpi


Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, është habitur kur ka dëgjuar për kërkesën e pazakontë të ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçlës, ndaj Gjermanisë, duke kërkuar nga ky shtet që t’i lejojë kosovarët që kanë leje qëndrim atje të hyjnë me pasaporta të skaduar, meqë u arsyetua që nuk ka mundësi për të siguruar material për prodhimin e pasaportave.

Zeka që kishte mbajtur pozitën e zëvendësministrit të MPB-së për shtatë vjet, thotë për Albanian Post se kërkesa e ministrit është e pamundshme, teksa ka shpjeguar procedurat brenda ministrisë për ta siguruar materialin për pasaporta.

“Ministra punon në bazë të planifikimit vjetor. Edhe në rastin konkret çështja e pasaportave është çështje e zyrës së prokurimit të MPB-së. Kjo kërkesë së pari është e paligjshme dhe së dyti ministri kërkon diçka që është e pamundur, ligjërisht jo e zbatueshme dhe në fund e papërgjegjshme”, potencon Zeka.

Izmi Zeka

Ai ka theksuar se me këto materiale merren kompani të specializuara me standarde të larta të BE-së.

“Janë afatet kur fillon dhe mbaron kontrata, ku ministria duhet të fillojë procedurat e tenderimit me kohë”.

“Të thuash ka ndikuar lufta në Ukrainë për mos pasjen e materialeve për pasaporta dhe dokumente tjera apo zgjidhjen e këtij problemi, besoni që këtu edhe përfundon debati. Nuk ke çka shton. Shteti të kërkojë paligjshmëri, kjo ndodh vetëm me ata që nuk dinë abc-në e funksionimit të shtetit ligjor”.

Zeka ka shtuar se pas kësaj kërkese të Sveçlës për autoritetet gjermane, ky i fundit duhet të “shkojë në shtëpi”.

“Në ndonjë vend normal ministri vetëm për kërkesën e papërgjegjshme të bërë ndaj autoriteteve gjermane do të shkarkohej”.

Ndryshe, problemet me furnizimin me pasaportë në Kosovë janë shfaqur prej shtatorit të vitit 2022, derisa në letrën që Sveçla ia ka dërguar Gjermanisë, kërkon që kosovarëve që kanë lejeqëndrim atje, t’u pranohen pasaportat e skaduar deri në qershor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore