Lajme

Ish-ministri Nenad Rikalo dënohet me tri vjet burgim


Nenad Rikallo, ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj ish ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv lidhur me akuzat për korrupsion.

Ky vendim është të marrë të enjten në seancën e Gjykatës.

Edhe ish sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie Kapllan Halimi, është dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim.

Akuzë në këtë rast kishte edhe për zyrtarë të tjerë që ishin Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët janë liruar nga akuza, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Gjithashtu, për Rikalon dhe Halimin, gjykata ka shpallur dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej tri vitesh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të akuzuarit obligohen të paguajnë shumën prej 500 euro dhe në emër të ekspertizës shumën prej 2 mijë euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, kanë mundësuar që disa kompani të përfitojnë grande në mënyrë të kundërligjshëm.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Rikalo në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij duke hartuar ‘Program të veçantë’ për financimin e disa projekteve.

Bazuar në aktakuzë konzorciumi ‘Dhemetra’ SH.P.K ka arritur të fitojë grandin ‘Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik’ ani pse projekti nuk ishte fare në listën ku financimi mbulohet përmes grandeve.

Seanca për vazhdimin e gjykimit të ish-ministrit Rikalo dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie ishte paraparë të fillonte me 6 maj, mirëpo e njëjta ishte shtyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore