Kosova

Ish-kryeinspektori i AKI-së: Derisa Serbia po pasivizon adresat e shqiptarëve, Qeveria e RMV-së po i largon nga vendimmarrja


Burim Ramadani

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, e ka konsideruar si “fort të keq” startin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga lideri nacionalist, Hristjan Mickoksi, pasi që ka konsideruar se ka dhënë sinjale për “deshqiptarizimin” e institucioneve.

Këto komente, Ramadani i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që ekzekutivi i ri maqedonas dhe presidentja e re kanë shkarkuar nga disa pozita kyçe shqiptarët, posaçërisht ato të sigurisë.

Ai ka përmendur faktin që një shqiptar, në këtë rast Artan Grubi, u zëvendësua nga Ivan Stoilkoviç, një bashkëpunëtor i Aleksandër Vulin-it, zëvendëskryeministrit të Serbisë, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stoilkoviç do të udhëheqë me pozitën e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit përgjegjës për çështjet ndër-etnike!

“Pra, edhe për Marrëveshjen e Ohrit do të ‘kujdeset’ puthadori i Vulin-it!!!”, shkroi Ramadani.

Ky, në vlerësimin e tij, “ishte lajm jashtëzakonisht i keq”.

“Për më keq, ky mori edhe votat e deputetëve shqiptarë ‘reformistë’ [koalicionit VLEN]! Së dyti, vendimet e menjëhershme për emërime në institucione të sigurisë, pa shqiptarë!”, potencoi Ramadani.

Ai theksoi se derisa Serbia po ia fshin adresat e banimit shqiptarëve në Luginë të Preshevës, struktura e re qeverisëse “reformatore” në Maqedoninë e Veriut “po merr vendime që fshijnë shqiptarët nga detyrat vendimmarrëse!”.

“Interesimin për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet ta kemi tash, jo në zgjedhje!”, sugjeroi ai, pasi që partia që ka pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje kishe dalë aktivisht në mbështetje të koalicionit “VLEN” në zgjedhjet e 8 majit.

Sepse, siç pohon ai, zgjedhjet janë çështje e garës politike të tyre, “ndërsa të drejtat themelore të shqiptarëve atje e tejkalojnë garën”.

“Janë çështje e interesit të përbashkët dhe sigurisë e stabilitetit rajonal”, përfundoi Ramadani.

Lloga: Falënderim publik Kurtit për kontributin maksimal në deshqiptarizimin e institucioneve në RMV

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore