Kosova

Ish-kryediplomati kroat për AP: ShBA-të s’do të lejojnë asnjë shkëputje në Bosnje-Hercegovinë dhe në Veri të Kosovës


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Miro Kovaç

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Miro Kovaç, ka thënë se vizita e shefit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës, William Burns, tregon se ShBA-të janë të përkushtuara për stabilitet dhe se nuk duan konfrontim mes shteteve të Ballkanit.

“Vizita e fundit e drejtorit të CIA-s, Williams Burns, tregon se ShBA-të janë të përkushtuara qartë për të garantuar stabilitet në Ballkan. Nuk do të lejojë asnjë shkëputje në Bosnje-Hercegovinë dhe as në Veri të Kosovës. Ky ishte mesazhi kryesor i vizitës së Burns. ShBA kërkon bashkëpunim, jo ​​konfrontim mes shteteve të Ballkanit”, theksoi Kovaç në një bisedë për AP.

Ndërsa vizita e Burnsit në Kosovë pasoi deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. ShBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Avazin e njëjtë pa kokëçarje Qeveria e vazhdoi edhe të premten e 30 gushtit kur mbylli pesë komuna paralele serbe në Veri të Kosovës, gjë që dëshmoi se asaj nuk i interesojnë as këshillat e Burns duke vendosur ta ndjekë kursin sovranist në Veri me shumë pikëpyetje në raport pasojat që mund të shkaktojë kjo qasje.

Ambasada e ShBA-ve në Kosovë edhe njëherë kundërshtoi fuqishëm aksionin në Veri, madje theksoi se policia, të cilën tha se e ka ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, ndërkaq James O’Brien kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”, thuhej në reagim.

Përveç kësaj, ambasada e ShBA-ve në Kosovë pati mesazh edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme – që drejtohet nga Xhelal Sveçla – dhe vartësit e saj, nëse qeveria vazhdon me këso veprimesh.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, ishte paralajmërimi amerikan.

Përveç ShBA-ve, reagime kundërshtuese ka pasur edhe nga vendet e tjera partnere të Kosovës, përmes misioneve diplomatike të tyre në Prishtinë.

Ndryshe, në raportin e parvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, në mars, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë vitit 2024.

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, ku u vra një polic i Kosovës, u mor për referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

Vizita e shefit të CIA-s që “shkundi” Ballkanin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore