Lajme

Irani përgatitet të lëshojë një transportues të ri satelitor


Gjeneral Amir Ali Hajizadeh, komandanti i Forcave Ajrore të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), ka zbuluar planet për të dërguar në hapësirë ​​një transportues të ri satelitor vendas.

Ai ka thënë se Irani do të vendosë satelitë të rinj në orbitë me transportuesin e tij satelitor Qaem, i cili punon me karburant të ngurtë.

Raketa Qaem u shfaq për herë të parë para vitit 2010, në prani të Hassan Tehrani Moghaddam, “arkitektit” të programit raketor të vendit.

Moghaddam u vra më 12 nëntor 2011 në një shpërthim masiv në një bazë municionesh jashtë kryeqytetit Teheran.

Në janar, IRGC-ja zbuloi testimin e motorëve të raketave me karburant të ngurtë.

Asokohe, Hajizadeh ka thënë se raketat e reja “janë bërë nga materiale të përbëra, në vend të metalit, dhe motori i tyre është i palëvizshëm”.

Çka “rrit fuqinë e raketës dhe se teknologjia nuk është e shtrenjtë”, gjë që i mundëson asaj të transportojë ngarkesa të rënda si satelitët.

Më parë, Irani ka lëshuar raketa me karburant të lëngshëm në hapësirë.

Ahmad Hosseini, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Iranit, ka treguar se Zuljanah, një raketë 25.5 metra e gjatë është e aftë të mbajë një satelit prej 220 kilogramësh.

Ky i fundit do të mbledhë të dhëna në orbitën e ulët të tokës dhe do të promovojë industrinë hapësinore të Iranit.

Procesi i lëshimit të tij shtrihet në tre faza, dy faza duke përdorur lëndë djegëse të ngurtë dhe një duke përdorur lëndë djegëse të lëngshme.

Më parë, në mars, Forcat Ajrore të IRGC-së lëshuan me sukses satelitin e zbulimit Noor-2 në një lartësi prej 500 kilometrash, duke përdorur transportuesin Qased.

Noor-2 është sateliti i dytë ushtarak i Iranit i dërguar në orbitë pas Noor-1, i cili u transportua nga raketa Qased në prill 2020 në një orbitë prej 425 kilometra mbi sipërfaqen e tokës.

Marrë nga “Asharq Al-Awsat”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore