Boterori 2022

Irani luan në Kupën e Botës, por vendi i Lindjes së Mesme është mbërthyer nga protestat


Irani synon kualifikimin e parë historik në një raund përtej fazës së grupeve të Kupës së Botës. Për të arritur diçka të tillë iranianët do të kenë një pengesë, SHBA-të.

Dy vendet që në aspektin diplomatik janë në një tension të vazhdueshëm, ketë të martë do të duhet të përballen në fushën e blertë për synimet e tyre në këtë Botëror.

Historia në këtë përballje është me Iranin. Fitorja e tyre e parë në Kupën e Botës ka qenë pikërisht përballë SHBA-ve në vitin 1998 në Francë. Ajo ishte ndeshja e parë që ata luajtën kundër njëri-tjetrit që kur Teherani dhe Uashingtoni ndërprenë marrëdhëniet pas revolucionit të Iranit të vitit 1979.

Por vendi i Lindjes së Mesme vazhdon të jetë i mbërthyer nga protestat që filluan më shumë se 70 ditë më parë, gjatë të cilave janë vrarë më shumë se 400 njerëz, duke përfshirë më shumë se 60 fëmijë, sipas organizatave të të drejtave të njeriut.

Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare.

Protestat filluan pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq pas arrestimit të saj nga policia e vendit për dyshimin se nuk respektoi një kod të detyrueshëm të veshjes.

Protestat që mbajnë ende emrin e saj dhe sloganin “grua, jetë, liri” kanë hyrë edhe në Kupën e Botës.

Disa iranianë prisnin që lojtarët e tyre të bashkoheshin me atletët e tjerë aktualë dhe të mëparshëm dhe të përdornin profilin e tyre të lartë në teatrin më të madh ndërkombëtar të futbollit për të shprehur mbështetje të qartë për protestat.

Kapiteni Ehsan Hajisafi shprehu solidaritetin me protestat gjatë një konference shtypi në Doha javën e kaluar.

Lojtarët refuzuan të këndonin himnin kombëtar përpara ndeshjes hapëse kundër Anglisë. Por retorika e tyre ka qenë e përqendruar vetëm në futboll që atëherë, dhe ata kënduan himnin përpara ndeshjes së Uellsit.

Ka pasur thirrje për protesta në rrugë në Iran pas ndeshjes me Anglinë. Por demonstratat ishin shumë të kufizuara mes një pranie të madhe nga forcat e sigurisë dhe një ngadalësimi të madh në lidhjet e internetit që erdhi si pasojë e kufizimeve që kanë qenë në fuqi që menjëherë pas fillimit të protestave.

Pas fitores kundër Uellsit, pati festime në rrugë të mbështetura dhe të inkurajuara nga forcat e sigurisë.

E njëjta polici që është bërë një pamje e njohur gjatë shtypjes së protestave, këtë herë u filmua duke valëvitur flamuj, duke hipur në motoçikletat e tyre dhe madje duke luajtur muzikë në rrugë.

Irani paraqiti të hënën një ankesë në FIFA për heqjen e fjalës “Allah” nga flamuri i Republikës Islamike në postimet e mediave sociale nga SHBA, të cilat kjo e fundit pranoi se erdhi si një shfaqje mbështetjeje për protestat.

Ndërkohë, zyrtarët e lartë të Iranit vazhdojnë të akuzojnë publikisht SHBA-të se janë forca kryesore shtytëse pas “trazirave” dhe “terrorizmit” në vend, diçka që Uashingtoni e ka mohuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore