Lajme

Iran: Familja e Mahsa Aminit ndalet në aeroport, nuk lejohet të marrë çmimin e BE-së


Familjes së Mahsa Aminit i është ndaluar të fluturojë në Francë, për të marrë një çmim të lartë për të drejtat e njeriut në nder të saj.

Prindërit dhe vëllai i Aminit u ndaluan të hipnin në fluturimin e tyre dhe iu konfiskuan pasaportat, tha avokati i tyre.

Ata po udhëtonin për në Strasbourg, për t’u prezantuar me çmimin Saharov të BE-së, i cili i është dhënë pas vdekjes Aminit.

Avokati i tyre tha se atyre iu ndalua largimi, pavarësisht se kishin viza të vlefshme.

Vdekja e Aminit vitin e kaluar ndezi protesta ndryshe nga ato që kishte parë vendi më parë.

Ajo vdiq në spital në Teheran më 16 shtator 2022, tre ditë pasi u arrestua nga policia e moralit në kryeqytet për të ashtuquajturën shkelje të rregullave strikte të Iranit, që u kërkon grave të mbulojnë flokët me hixhab ose shami.

Dëshmitarët thanë se kurdja 22-vjeçare u rrah ndërsa ishte në paraburgim, por autoritetet mohuan se ajo ishte keqtrajtuar dhe fajësuan një “dështim të papritur të zemrës” për vdekjen e saj.

Në tetor, Bashkimi Evropian njoftoi se po i jepte pas vdekjes çmimin e tij për të drejtat themelore të njeriut Aminit dhe lëvizjes globale “Gruaja, Jeta, Liria”, që u krijua pas vdekjes së saj.

Duke folur për agjencinë e lajmeve AFP, avokatja e familjes, Chirinne Ardakani, tha se nënës, babait dhe vëllait të Aminit “u ishte ndaluar të hipnin në fluturimin që do t’i çonte në Francë për prezantimin e çmimit Sakharov”.

Ajo tha se autoritetet iraniane “kurrë nuk kanë qenë kaq të mobilizuara për të penguar familjet e viktimave të flasin me komunitetin ndërkombëtar”.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, i bëri thirrje Iranit të “tërheqë vendimin” për të ndaluar udhëtimin e familjes.

“Vendi i tyre të martën e ardhshme është në Parlamentin Evropian në Strasburg për të marrë çmimin Sakharov, me gratë e guximshme të Iranit”, tha ajo në rrjetet sociale. “E vërteta nuk mund të heshtet”.

Në shtator, në përvjetorin e vdekjes së vajzës së tij, babai i Aminit, Amjad, u arrestua nga Garda Revolucionare iraniane dhe u paralajmërua kundër shënimit të përvjetorit të vdekjes së vajzës së tij, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.

Mijëra njerëz në mbarë botën shënuan përvjetorin, duke dalë në rrugë në protesta masive. Amjad Amini u lirua më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore