Lajme

IPK-ja themelon ekipin hetues për veprimet policore në Veri


Situata në Veri të premten e 26 majit.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka krijuar një ekip me inspektorë për të vlerësuar veprimet policore gjatë operacionit të ditës së premte në tre komunat veriore të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lajmin e ka bërë të ditur IPK-ja përmes një komunikate për media, ku ka sqaruar se ky vendim është marrë duke u bazuar në mandatin ligjor sipas detyrës zyrtare dhe në koordinim me Ministrin e Punëve të Brendshme.

“Qëllimi i punës së këtij ekipi është që të sigurojmë që Policia e Kosovës ka kryer detyrat konform standardeve dhe autorizimeve kushtetuese e ligjore, drejt krijimit të një mjedisi të sigurt për qytetarët pa dallim. Po ashtu, ekipi synon të identifikojë nëse gjatë këtij operacioni ka pasur tejkalim të autorizimeve policore”, thotë IPK-ja në një njoftim për media.

Në komunikatë sqarohet se varësisht nga gjetjet e punës së këtij Ekipi, konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit “IPK-ja do të adresojë çështjet e ngritura”.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore