IPK-ja nis hetimet për incidentin në Leposaviq

SHFLETO

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

 

Altina Marmullaku
24.01.2023 13:14
Loading Icons...

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka nisur hetime për incidentin që ka ndodhur të hënën e 23 janarit pranë urës së Bistricës në Leposaviq, ku dyshohet se Policia e Kosovës kishte shtënë me armë zjarri ndaj një veture e cila i kishte sulmuar duke i goditur.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zyrtari për informim i IPK-së, Arbër Beka.

“IPK ju konfirmon se është njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Një ekip e hetuesve të IPK-së është angazhuar menjëherë përderisa veprimet tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, ka thënë Beka për AP.

Policia e Kosoves

Sipas njoftimit të policisë, njësia policore ka qenë në pikë kontrolli dhe gjatë realizimit të detyrave ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës.

Të ndjerë nën rrezik për jetën zyrtarët policorë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës.

Njësitet relevante menjëherë kanë filluar hetimin për këtë rast, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.

Sulmi në fjalë nuk është sulmi i parë në drejtim të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Rasti i fundit ishte në muajin dhjetor ku ka pasur rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, meqë rast njëri nga policët kishte mbetur i plagosur.

Plagosja e tij kishte ndodhur derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit.

Plumbi e kishte goditur në krahë, ndërsa më pas, nga xhami i dërrmuar nga breshëria, copëza të vogla metalike e kanë goditur edhe në kokë, më saktësisht në pjesën e veshëve.

Kjo ishte hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit.

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.