Sport

Inzaghi preferon Morata-n para Balogun


“Sky Sport Italia “pretendon se trajneri i Inter-it, Simone Inzaghi, preferon Alvaro Morata-n sesa sulmuesin e Arsenalit, Folarin Balogun, kryesisht sepse spanjolli është më me përvojë.

Zikaltrit janë në kërkim të një sulmuesi të ri pasi kanë hequr dorë nga Romelu Lukaku. Morata dhe Balogun janë të lartë në agjendën e Beppe Marotta-s, por “Sky Sport” pretendon se Inzaghi preferon spanjollin.

Gjatë emisionit të tyre të transferimeve të hënën pasdite, transmetuesit italianë thanë se Inzaghi beson se Morata është më me përvojë dhe do të përshtatet menjëherë pasi ai kaloi katër sezone në Serie A me Juventus-in.

(Photo by CRISTINA QUICLER/AFP via Getty Images)

Interi u takua me agjentët e Morata-s javën e kaluar, por duket se nuk dëshiron të arrijë një klauzolë prej 21 milionë eurosh për ta transferuar atë nga Atletico Madrid.

30-vjeçari është gjithashtu në bisedime me Romën dhe sipas “Il Corriere dello Sport”, ai tashmë ka rënë dakord për kushtet personale me kryeqytetasit.

Nga ana tjetër, çmimi i kërkuar i Arsenalit për 22-vjeçarin Balogun besohet të jetë rreth 40 milionë euro.

Reprezentuesi i SHBA-ve nuk ishte i përfshirë në miqësoren para-sezonale të “Topçinjve” kundër Manchester United të dielën, derisa kishte thënë se sezonin e ardhshëm dëshiron të luajë rregullisht.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore