Sport

Inzaghi: Porto është një skuadër e fortë, ne do të luajmë për t’u kualifikuar


Inter-i do të ballafaqohet me Porto-n në ndeshjen e fazës së 1/8-ve të finales në Ligën e Kampionëve.

Me ta kuptuar kundërshtarin, ka folur menjëherë trajneri i Inter-it, Simone Inzaghi.

Ai ka thënë që Porto është një ekip i fortë, por synimi i tyre është që të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Për herë të dytë radhazi po luajmë në këtë fazë. Më në fund Inter-i është rikthyer për të luajtur vazhdimisht aty ku e ka vendin”, theksoi fillimisht tekniku italian.

“Do jenë dy ndeshje të mira, në dy stadiume plot dhe në një atmosferë të mrekullueshme. Ne e respektojmë Porto-n, janë një skuadër që prej vitesh po ecën mirë në Champions”, shtoi Inzaghi.

“Trajneri Sergio Conceicao ishte shoku im i skuadrës kur luanim te Lazio prej vitesh, e njoh shumë mirë. Qëllimi ynë është që të kalojmë këtë fazë”, shtoi Simone Inzaghi.

“Nuk do të jetë aspak e lehtë, do të duhet të punojmë për të qenë gati për një sfidë të dyfishtë ku detajet do bëjnë diferencën. Do të jenë dy sfida të bukura, ne do të jemi gati”, është shprehur mes tjerash Inzaghi.

Kujtojmë që Inter-i e pati një grup të vështirë në Ligën e Kampionëve, të cilët e kaluan së bashku me Bayern Munich-un, derisa Barcelona u eliminua nga kjo garë pasi që përfundoi e treta.

Kurse, sa i përket kampionatit italian, Inter momentalisht qëndron në pozitën e shtatë me 24 pikë, 11 më pak se lideri aktual, Napoli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore