Biznes

Investimet e huaja direkte arrijnë shifrën 634 milionë euro, sipas BSH-së


Për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja direkte arritën shifrën prej 634 milionë eurosh.

Çka shënon edhe nivelin më të lartë historik të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Vlera e investimeve të huaja direkte për këtë vit, referuar Bankës së Shqipërisë, paraqitet rritje me 35 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tremujori i dytë i vitit, sipas BSH-së, ka shënuar një fluks rekord të investimeve të huaja direkte, me 337 milionë euro.

Kjo shifër është 43 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe njëkohësisht vlera më e lartë e investimeve të huaja e regjistruar ndonjëherë në një tremujor të vetëm.

“Gjatë tremujorit të dytë 2022, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e hidrokarbureve në masën 18 për qind, energjetikës në masën 13 për qind, ndërmjetësimit financiar në masën 5 për qind, si edhe komunikacionit në masën 2 për qind”, sipas BSH-së.

Ditë më parë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Republikën e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se ekonomia shqiptare ka parë një rritje gjatë 3-mujorit të tretë të vitit.

Sipas saj, rritja ka vijuar duke përcjellë një efekt pozitiv te treguesit makro-ekonomikë.

Ministrja theksoi se inflacioni edhe pse në rritje mbetet i kontrolluar.

Kështu, inflacioni në Shqipëri është ndjeshëm më ulët se vendet e rajonit.

“Rritja më e madhe e çmimeve u vërejt në fushën e transportit dhe ushqimet e pijet alkoolike”, tha ministrja.

Po ashtu, ministrja ceku edhe ecurinë e importeve dhe eksporteve, ku të parat janë rritur me 24% dhe eksportet me 40%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore