Lajme

Investigimi i BBC: Agjenti sekret i MI5 tenton të vrasë partneren duke përdorur statusin e tij


Një spiun i Inteligjencës Ushtarake Britanike, (MI5) ka përdorur statusin e tij për të terrorizuar partneren.

Kjo, përpara se të udhëtonte jashtë shtetit për arsye pune, ndërkohë që po investigohej.

Kështu shkruan e përditshmja britanike ‘BBC’, në hulumtimin e saj të gjatë në lidhje me këtë çështje.

Prestigjiozja britanike përfundoi në gjykatë pikërisht për ‘gërmimin’ e së vërtetës në lidhje me këtë denoncim.

Ajo u ndalua që të bënte publik imazhin dhe emrin e vërtetë të personit në fjalë.

Historia e vajzës e cila e identifikon veten me pseudonimin Beth, nisi kur u njoh me agjentin britanik në një aplikacion.

Fillimisht, ajo rrëfente se gjithçka dukej perfekte sepse të dy ndanin gjëra të përbashkëta.

Por me kalimin e kohës – agjenti (djali në fjalë idem. – AP) – zbuloi një tjetër anë të karakterit.

Këtë të fundit, protagonistja e përshkruante si “ekstremist”, “të dhunshëm” dhe “të pamëshirshëm”.

Ajo pranon se është dhunuar seksualisht, madje X ka arritur deri në pikën që ka tentuar ta vrasë.

Britanikja pranon se e ka kërcënuar disa herë për ta denoncuar.

Por partneri i saj ka përdorur pozicionin e tij të punës për ta terrorizuar.

MI5 'secretly collected phone data' for decade - BBC News

“Ai kishte kontroll të plotë te unë. Isha kthyer në hijen e vetvetes. Gjatë fundit të raportit tonë, ai diktonte çdo lëvizje timen – ku ikja, me kë isha, ku punoja, çfarë bëja në punë, çfarë vishja, gjithçka”, zbulon viktima për ‘BBC’.

Beth pranon se X (agjenti) e bënte të ndihej “e pavlerë”, madje edhe e bullizonte për faktin që kishte probleme me shëndetin mendor.

Sipas saj, djali punonte si agjent informacioni me pagesë për Inteligjencën britanike.

Ai ishte i infiltruar në rrjetet ekstremiste të cilat janë në qarkullim.

Madje, britanikja ishte në dijeni të takimeve të tij me spiunë, dërgesat e parave dhe pajisjeve që i duheshin në misione.

Agjentët e shërbimeve sekrete, siç raporton ‘BBC’, kanë lejen që të kryejnë krime – përfshirë vrasjen – kur janë të infiltruar.

Kjo vlen vetëm në rastet kur bëhet fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish ose për të shmangur krime më të rënda dhe për të “ruajtur krahët” e një agjenti tjetër.

Megjithatë asnjë nga këto “tolerime” nuk përfshinte aspekte të jetës së tyre private në asnjë moment.

“Unë nuk e raportoja dot sepse kisha frikë të flisja për abuzimin që i kryente ndaj meje. Ai kishte të njohur në pozicione të larta drejtuese në shtet, polici dhe gjithandej. Secili prej të besuarve të tij mund të ndërhynte që të më vriste”, vijon më tej Beth.

Ajo shton se në bisedat me X, agjenti shpesh lavdëronte vrasësit terroristë, të cilët kryenin sulme në masë dhe deklaronte hapur qëllimin e tij për të kryer akte të ngjashme.

Për të provuar këtë, BBC-ja zotëronte një video të cilën ua kishte vënë në dispozicion Beth.

Në të, imazhi i partnerit të saj nuk është krejt i dukshëm, por mund të shihen qartë veprimet dhe fjalët kërcënuese.

A sequence of the victim's mobile phone images shows her being attacked by the man with a machete (blurred)

X e ka sulmuar madje me hanxhar dhe ajo ka arritur të shpëtojë nga duart e tij më shumë vështirësi.

Ulërimat dhe kërcënimet dëgjohen qartësisht në prapavijë.

Pas regjistrimit të videos së publikuar nga e përditshmja britanike, Beth ka rrëfyer se ish-partneri ka tentuar sërish ta vrasë me thikë.

Policia u shfaq në shtëpinë e tyre, pas këtij sulmi, por investigimi nuk shkoi siç pritej.

Agjenti u arrestua nën akuzën e dhunës ndaj Beth dhe doli para trupit gjykues.

Ndërsa ai po gjykohej, papritmas Shërbimi Mbretëror i Prokurorisë (CPS) e hodhi poshtë çështjen.

Beth ka treguar më tej se ai u kthye në banesë dhe vazhdoi të ushtronte dhunë ndaj saj.

Policia nuk i mori asnjë deklaratë Beth për këtë çështje, as nuk e mori nën shqyrtim videon me përmbajtje dhune.

Kjo e fundit do ishte automatikisht një provë për ta nisur investigimin.

Në video-t e tjera, Beth ka arritur të bisedojë me X duke siguruar prova të qarta se ai kishte pasur dhe ka qëllim ta vrasë.

Çifti u nda pas pak kohësh, pasi agjenti e dëboi nga shtëpia partneren e tij dhe u largua kur një investigim tjetër ndaj tij filloi.

Pas një kërkimi nga policia lokale në shtëpinë e djalit, u zbuluan materiale ekstremiste duke përfshirë dhe një ditar kur shkruhej për vrasje hebrenjsh.

MI5's London headquarters

Ai kishte shkruar mes rreshtash edhe tentativat për të vrarë Beth-in.

Investigimi serioz ndaj tij nisi, por X ia doli të largohej nga Mbretëria e Bashkuar.

Pak javë pasi ai iku, Beth pasoi një krizë të fortë nervore e cila e shtroi me urgjencë në spital.

Të gjitha sendet e saj personale u dërguan në shtëpinë e të afërmve të saj nga një person që mendohet se kishte lidhje me agjentin.

Pasi Beth u largua nga spitali bëri një ankesë në polici për sendet që nuk iu rikthyen nga oficerët dhe për çështjen që ishte mbyllur shpejt.

Policisë i mori më shumë se 1 vit që ta intervistonte atë dhe akoma sot nuk është marrë një masë legjitime.

Policia mohoi çdo akuzë që ajo ngriti ndaj tyre, ndërsa vetë X, sipas kërkimeve të BBC-së, ka nisur punë me një agjenci inteligjence jashtë Britanisë.

The Royal Courts of Justice in London

Edhe në shtetin në fjalë, ai ka dhunuar disa gra duke ndjekur të njëjtën sjellje.

Po ashtu janë vënë sërish në dukje sjelljet e tij ekstremiste.

Njëra prej zonjave në fjalë e cila ishte mes viktimave, deklaroi për ‘BBC-në’ se ai e ka kërcënuar se do e vrasë bashkë me të bijën.

“Ai kishte një bllok në të cilin shkruhej për ngjarje me përmbajtje të dhunshme. Aty kishte edhe rrëfime kanibalizmi”, ka treguar ndër të tjera gruaja me pseudonimin Ruth.

Qeveria iu bë pengesë prestigjiozes britanike, e cila citon se “u dërguam në gjykatë sapo u mblodhën prova të konsiderueshme që historia të bëhej publike”.

Gjithashtu, gazetarët pranojnë se vendimi i gjykatës i ndaloi të publikojnë emrin e vërtetë dhe imazhin e plotë te tij.

Edhe pse kjo do të ndihmonte në shmangien e viktimave të tjera në vazhdim.

Marrë dhe përshtatur nga BBC për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore