Kosova

Intervistohen dy persona, dyshohet se ofruan shërbime të kundërligjshme


Janë intervistuar dy persona nga Prokuroria Themelore e Prishtinës pasi dyshohet që në objektin afër stacionit policor ishin duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore dhe farmaceutike, ndërsa disa të tjerë në cilësinë e dëshimtarëve.

“Është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së.

Gjithashtu, është bërë e ditur se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, tha se objekti që u bastis afër stacionit policor në Prishtinë i përkiste një organizate të kundërligjshme jo-qeveritare (OJQ), derisa shtoi se një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore