Kosova

Intervistimi i Mihalit nga Specialja – Haradinaj: Rrethi i Mafisë Energjetike po ngushtohet  


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar intervistimin e Dejona Mihalit nga Prokuroria Speciale, ka potencuar se rrethi i Mafisë Energjetike po ngushtohet.

Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë.

“Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Albanian Post të premten raporti se Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje – partia në pushtet – Dejona Mihali po intervistohet në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës, apo siç njihet rasti i Nagip Krasniqit.

Siç ka kuptuar AP ftesa për intervistim Mihalit i është bërë për të premten e kaluar, por ajo nuk ishte përgjigjur pozitivisht deri për këtë të premte.

Mediumi gjithashtu ka kuptuar se arsye e thirrjes së Mihalit është gjetja e provave për të gjatë hetimit të Krasniqit.

“Janë disa mesazhe mes Mihalit dhe Nagip Krasniqit që e involvojnë atë”, ka thënë një burim brenda Prokurorisë Speciale.

Nagip Krasniqi, ish anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje u emërua nga qeveria e Kurtit si kryeshef i KEK-ut.

Krasniqi u arrestua në prill të vitit 2023 dhe ishte mbajtur në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.

Ai u lirua në shtator 2023.

Ndërkaq Prokuroria Speciale e Kosovës në gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria e akuzon Krasniqin për shkelje të detyrës gjatë një periudhe më pak se dyvjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore