Lajme

Intervistë | Adnan Çerimagiç nga ESI: Iluzioni se ka diçka që Kosova mund t’i japë Serbisë është i rrezikshëm


Ilustrim: Adnan Çerimagiç/Albanian Post

Kur shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, njoftoi përmes një konference për media se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas një dite të gjatë bisedimesh, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, shumë vëzhgues e panë me skepticizëm të thellë.

Në mesin e tyre është edhe Adnan Çerimagiç, analist i lartë për Ballkanin Perëndimor në institutin “European Stability Initiative”, i cili përveç shprehjes së dukshme të skepticizmit, kritikon ndërmjetësit evropiano-amerikanë për mungesë të një oferte serioze për zbatimin marrëveshjes në praktikë.

Si mjaft të rrezikshëm e sheh edhe presionin e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, veçanërisht rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, gjë që sipas tij, mund ta përkeqësojë më tej situatën në të cilën gjenden aktualisht të dyja palët.

“Është e rrezikshme të mendosh për iluzionin se ka diçka të madhe që Kosova mund t’i japë Serbisë ose një pakice serbe në Kosovë, e cila më pas do ta motivonte Serbinë të ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës”, thotë Çerimagiç, i cili është edhe anëtar i Institutit Ndërkombëtar për Paqe në Vjenë.

Kushtetuta e Kosovës në kombinim me standardet e Këshillit të Europës dhe modelet tjera evropiane për akomodimin e pakicave, thotë Çerimagiç, ia mundësojnë Qeverisë së Kosovës, që së bashku me komintetin serb, të gjejnë një, siç thotë ai, model kosovar për komunitetin serb.

Megjithatë, ai shton se edhe në këtë rast, çështja themelore nuk është t’i bëhet më shumë presion Kosovës, por që BE-ja si institucion të veprojë në mënyrë më të përgjegjshme, duke hapur rrugën që brenda dhjetë vitesh Kosova, por edhe Serbia, t’i bashkohen familjes evropiane.

Çerimagiç ka punuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës dhe si njohës i mirë i rajonit, ka folur edhe për zhvillimet e tjera politike në Ballkanin Perëndimor – zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi, politika secesioniste e Milorad Dodik dhe ndikimin rus në këtë pjesë të Evropës.

Intervista e Albanian Post me Adnan Çerimagiç – Analist i lartë për Ballkanin Perëndimor në institutin kërkimor European Stability Initiative (ESI):

Albanian Post: Disa analistë kanë argumentuar se situata aktuale politike në Kosovë dhe në Serbi nuk është e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme. Çfarë mendoni ju për zhvillimet e fundit në dialog? A mendoni se Marrëveshja e Ohrit është një hap në drejtimin e duhur?

Adnan Çerimagiç: Përshtypja ime është se ata që qëndruan pas nismës së fundit – Gjermania dhe Franca – dhe ata që e mbështetën – BE-ja dhe SHBA-të – kanë harruar se nuk ka pasur kurrë ndërmjetësim të BE-së në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithmonë ka pasur vetëm bisedime ndërmjet BE-së (SHBA) dhe secilës nga këto të dyja veç e veç. Unë shpreha skepticizmin për perspektivat e Ohrit menjëherë pasi ishte e qartë se përveç një premtimi për një konferencë donatorësh dhe një premtimi të paqartë të perspektivës evropiane, BE (SHBA) nuk solli ndonjë ofertë serioze në Ohër. Me këtë në mendje, nuk është çudi që Marrëveshja nuk është nënshkruar, ose se një muaj pas Ohrit nuk kemi rezultate konkrete dhe kemi mjaft interpretime të kundërta të kuptimit të Ohrit.

Albanian Post: Çfarë duhet të bëjnë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar që të gjitha marrëveshjet të zbatohen me të vërtetë?

Adnan Çerimagiç: Ata duhet ta kuptojnë se presioni ndaj Kosovës dhe frazat gjysmë boshe të mbështetjes për Serbinë dhe Kosovën jo vetëm që nuk do të japin rezultate por potencialisht do t’i përkeqësojë gjërat. Është i rrezikshëm iluzioni për të menduar se ka diçka të madhe që Kosova mund t’i japë Serbisë ose një pakice serbe në Kosovë, e cila më pas do ta motivonte Serbinë të ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës.

Vetëm BE-ja mund t’i ofrojë Serbisë diçka të tillë. Siç ndodhi në vitet e para të dialogut kur në mënyrë që Serbia të bëhet kandidate e BE-së, të fillojë bisedimet për anëtarësim dhe të jetë e njohur brenda dhe jashtë vendit si qeveri pro-evropiane, qeveri të njëpasnjëshme serbe pranuan dhe inkurajuan integrimin e komunitetit serb në Kushtetutën e Kosovës dhe rendin institucional (nga policia dhe doganat deri te gjyqësori), dhe integrimin e Kosovës në organizatat rajonale. Kjo është arsyeja pse çelësi që Kosova dhe Serbia të ecin përpara pas Ohrit është se BE-ja duhet të diskutojë dhe të dakordohet për një ofertë serioze, konkrete, të prekshme dhe të arritshme të integrimit evropian për Serbinë dhe Kosovën. Pa këtë, në rastin më të mirë do të jetë e vështirë, në rastin më të keq e pamundur të bëhen hapa të mëdhenj aq shumë të nevojshëm.

Albanian Post: Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave me shumicë etnike serbe. Në mesin e shqiptarëve është e përhapur frika se ky do të bëhet një satelit de facto brenda Kosovës. Çfarë mendoni ju?

Adnan Çerimagiç: Unë mendoj se tashmë Kushtetuta e Kosovës në kombinim me standardet e Këshillit të Europës dhe modelet nga BE-ja, ia mundësojë minoritetit serb në Kosovë dhe Qeverisë së Kosovës për të gjetur një model Kosovar për komunitetin serb, të qëndrueshëm dhe reciprokisht të pranueshëm.

Për të arritur këtu, gjëja e vetme që do të duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë ata që marrin pjesë në këto diskutime dhe që në fund duhet të pajtohen, është se a pritet që ky “model kosovar” të zhvillohet dhe të harmonizohet me pritshmërinë se brenda dhjetë viteve të ardhshme ka një shans të vërtetë për Kosovën dhe Serbinë për t’u bërë pjesë e BE-së, Eurozonës dhe Schengen-it?

Në kuptimin tim, ata që janë skeptikë në Kosovë dhe luftojnë kundër çdo gjëje që është më tepër se ajo që është momentalisht për komunitetin serb, nuk besojnë se BE-ja është serioze në lidhje me pranimin e tyre në BE në një të ardhme afatshkurtër, ata nuk shohin Serbinë si të gatshme të marrë në konsideratë njohjen e Kosovës dhe se përveç modelit vetë, gjithçka tjetër do të mbetet e njëjtë për dekada të tjera. Prandaj edhe në këtë çështje, çelësi nuk është të vendoset më shumë presion mbi Kosovën, por që BE-ja të veprojë në mënyrë të përgjegjshme.

Albanian Post: Mendoni se Serbia po shkëputet përfundimisht nga ndikimi rus për t’u lidhur me Perëndimin? A është shtëpia e quajtur Evropë dhe kapitulli 35 i mjaftueshëm që Serbia të zbatojë të gjitha marrëveshjet me Kosovën apo parashikoni rikthim në status quo?

Adnan Çerimagiç: Ata që argumentojnë se Serbia tani është më serioze në lidhje me ngjizjen e saj me Perëndimin, tregojnë bërjen e disa hapave konkretë dhe të dukshëm nga qeveria që nga 24 shkurti i vitit të kaluar: nga vota në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në lidhje me Ukrainën deri te investimet në diversifikimin e energjisë ose bashkëpunimi me SHBA-në.

Ata që janë skeptikë rreth kësaj, tregojnë për bashkëpunimin e thellë të Serbisë me Kinën, ciklin e pafund të armatosjes, mediat pro-ruse dhe antiperëndimore, dhe qëndrimet ndaj shteteve fqinje. Për mendimin tim, të dyja janë të sakta, së paku në një masë të caktuar. Prandaj, po, Serbia po ndërmerrë disa hapa konkretë në lidhje me Perëndimin, në veçanti me SHBA-në, por në thelb ajo është duke u ulur në sa më shumë karrige që është e mundur. Unë mendoj se kjo do të vazhdojë për sa kohë që Perëndimi, përmes BE-së, nuk ofron integrim më të dukshëm dhe të favorshëm të Serbisë në botën perëndimore.

Albanian Post: Grupet pro-perëndimore në Mal të Zi dhe në Ballkanin Perëndimor thonë që presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi Jakov Milatoviç është ‘kukull’ e udhëheqjes pro-ruse në Beograd. A kanë të drejtë kritikët në këtë rast? A parashikoni ndonjë ndryshim në politikën e jashtme të Mali i Zi?

Adnan Çerimagiç: Qytetarët e Malit të Zi zgjodhën Jakov Milatoviç-in si Presidentin e tyre të ri me një shumicë dërrmuese, që nënkupton se votuesit e tij nuk ishin vetëm serbët e Malit të Zi. Ai kandidoi me një platformë ‘Evropa tani’, kundër korrupsionit dhe shtetit të kapur, dhe në favor të zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit në BE. Ata që votuan për të do të shikojnë nëse ai dhe qeveria e ardhshme e Malit të Zi, e cila me shumë gjasë do të jetë në një koalicion dhe do të ketë fuqinë reale për të ndryshuar gjërat, do t’i përmbushë këto premtime, apo siç argumentojnë dhe frikësohen disa, do të shtyjnë Mali i Zi drejt një axhende nacionaliste, anti-NATO dhe antiperëndimore.

Është e pamundur për mua të them se çfarë do të ndodhë, por jam i sigurt se Milatoviç nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetjen e Perëndimit për të përmbushur premtimet e tij nëse kthehet kundër NATO-s, çnjeh Kosovën, vë në dyshim shtetësinë e Bosnjë dhe Hercegovinës ose gjenocidin e Srebrenicës. Jam gjithashtu i sigurt se nëse BE-ja do të vinte në Mal të Zi sapo të mbarojnë zgjedhjet parlamentare dhe do t’i ofronte vendit anëtarësimin në BE si shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2027, nëse të gjitha reformat kryhen, shanset që qeveria e re të shndërrohet në frikën tonë më të madhe do të bëhen minimale.

Albanian Post: Presidenti i ‘Republika Srpska’ Milorad Dodik është përballur me kritika të shumta nga Perëndimi, por ai nuk po e ndalë retorikën nacionaliste, kërcënimet dhe politikën secesioniste. Çfarë do vërtet ‘lideri i fortë’ i Bosnjë dhe Hercegovinës?

Adnan Çerimagiç: Presidenti Milorad Dodik, si shumë politikanë të tjerë në rajon dhe më gjerë, dëshiron të qëndrojë në pushtet dhe nëse është e mundur, të zgjerojë  fuqinë e tij. Mënyra e tij për të bërë politikë është më e ngjashme me pazaret, ku përdor fjalë dhe lëviz për të krijuar pozicionin më të mirë të mundshëm negociues për veten e tij.

Më të tmerrshme janë fjalët dhe veprimet e tij për ata me të cilët ai negocion, sa më të motivuar të jenë ata në arritjen e një marrëveshjeje, aq më shumë ai duhet të heqë dorë për hir të asaj marrëveshjeje fund. Dhe pothuajse gjithmonë ai del me më shumë se çfarë kishte më parë. Në ciklin e tij të fundit të pazareve, Dodik po ‘negocion’ me BE-në dhe SHBA-në, por edhe me partnerë në qeverinë e nivelit shtetëror, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqen të disiplinojnë çdo kundërshti mes partive politike apo sektorit qytetar dhe të tërheqë mbështetjen e Kinës dhe Hungarisë.

Duke marrë parasysh gjithçka që po ndodh në botë – nga Ukraina dhe Lindja e Mesme në Kinë dhe Tajvan – por edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm në BE, SHBA dhe MB, dhe mënyra e dokumentuar e mendimit të Dodik për vendin e Republikës Srpska, Bosnje dhe Hercegovinës dhe rajonit jo-BE dhe jo-NATO në botën në ndryshim, askush nuk duhet t’i marrë me lehtësi kërcënimet apo hapat e tij. Ai ka dëshiruar prej kohësh një stuhi të përsosur që do ta lejonte të ndryshonte realitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës në mënyrë dramatike.

Albanian Post: Ballkani ka qenë në qendër të konkurrencës së fuqive të mëdha për shekuj. Rusia ka prej kohësh një rol udhëheqës, duke mbështetur aleatët e saj sllavë, të krishterë dhe ortodoksë, në Serbi dhe gjetkë në rajon. Cili është roli destabilizues i Rusisë sot në situatën që po shihni në rajon?

Adnan Çerimagiç: Shumë ekspertë rusë që njohin rajonin e Ballkanit Perëndimor pohojnë se për shkak të fokusit të saj në Ukrainë, fqinjësia direkte dhe arsyet ekonomike gjeografike dhe praktike, Rusia e ka braktisur de-fakto rajonin. E vërtetë apo jo, ajo që mund të vërejmë është se mediat dhe narrativa ruse janë ende të pranishme dhe aktive në rajon, dhe se ata që ishin dikur konsiderohen më të afërt me Rusinë dhe Putinin, që nga shkurti i vitit 2022 nuk e kanë braktisur Rusinë apo Putinin.

Ata mund të kenë shtuar vetëm një kërkim për klientët paralelë, por jo alternativë. Milorad Dodik, për shembull, u takua me Vladimir Putin në Moskë në shtator 2022 dhe i dha atij një medalje në janar 2023. Në të njëjtën kohë, po, Dodik ka shtuar përpjekjet e tij për t’u përqafuar me Budapestin dhe Pekinin. Por më e rëndësishmja, megjithatë, idetë e Dodik dhe ide të tjera shkatërruese në rajon tregojnë që Rusia ka qenë gjithmonë e gatshme për të mbështetur dhe promovuar, janë ende të gjallë dhe po e godasin rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore