Përballje

Inter-i mposht Lazio-n dhe merr kreun e tabelës


Inter-i e ka mposhtur Lazio-n me rezultat 2:1, në ndeshjen e vlefshme të xhiros së 21-të në Serie A.

Kampionët në fuqi të Italisë treguan dhëmbët që në minutat e para të ndeshjes, duke shënuar në minutën e 17-të, por goli i Lautaro Martinez-it u anulua nga sistemi VAR për një pozicion jashtë loje.

Nuk vonoi shumë dhe vendasit zhbllokuan rezultatin në minutën e 30-të, duke shënuar me anë të mbrojtësit Alessandro Bastoni.

Por, reagimi i mysafirëve erdhi shumë shpejt, kur në minutën e 35-të, sulmuesi kryesor i Lazio-s, Ciro Immobile, barazoi shifrat në 1:1, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, dyja skuadrat ishin kërkuese, por vendasit arritën të gjejnë golin e epërsisë, ku përsëri shënues ishte një mbrojtës, por këtë herë Milan Skrinjar.

Vazhdimi u karakterizua me disa raste për dyja ekipet, por Inter-i arriti të ruajë epërsinë, për të marrë tre pikët që e ngritin në krye të tabelës.

Kur kanë kaluar 21 ndeshje në Serie A, Inter kryeson tabelën me 49 pikë (me një ndeshje më pak), një më shumë se Milan-i i vendit të dytë.

Ndërsa Lazio mbetet në vendin e tetë, me 32 pikë, aq sa ka edhe Roma e vendit të shtatë.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Verona befasoi duke u mposhtur në shtëpi nga Salernitana, me rezultat 1:2.

Milan Djuric shënoi një gol për mysafirët në pjesën e parë, ndërsa për Veronën barazoi përkohësisht Darko Lazovic, para se Grigoris Kastanos të shënonte golin e fitores.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore