Inter-i fiton dhe kap vendin e dytë, Roma bie në Bologna

SHFLETO
Romario Ismailaj
01.12.2021 20:40
Loading Icons...

Dy ndeshjet e para për këtë të mërkurë në Serie A italiane patën dy skuadra fituese, Inter-in dhe Bologna-n. Zikaltrit fituan 2-0 përballë Spezia-s. Bologna fitoi 1-0 përballë Roma-s.

Ndeshjet u luajtën për llogari të javës së 15 në Serie A.  Javë e cila filloi të martën me katër takime: Fiorentina – Sampdoria 3-1, Atalanta – Venezia 4-0, Hellas Verona – Cagliari 0-0 dhe Salernitana – Juventus 0-2.

Inter-i priti në “Giuseppe Meazza”, Spezia-n e Rei Manajt. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë është një ish i kësaj sfide, pasi më herët ka veshur fanellën zikaltër. Manaj luajti 90 minuta të plota, duke bërë një performancë disi të kënaqshme.

Lautaro Martinez-i dhe Milan Skrinar-i ishin dy lojtarët më të mirë të ndeshjes. Pa harruar këtu edhe portierin mik, Ivan Provedel-in, i cili bëri nëntë pritje. Katër prej të cilave brenda zonës së rreptësisë.

Të besuarit e Simone Inzaghi-t shënuan nga një gol për secilën pjesë. Në pjesën e parë shënoi mesfushori, Roberto Gagliardini. Italiani e dërgoi në rrjetë në minutën e 36, topin e dhuruar nga Lautaro.

Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 58 do të ishte vetë argjentinasi që do të shënonte. Lautaro ekzekuton saktë një 11 metërsh dhe vulos shifrat e takimit në 2-0.

Tri pikë për Inter-in që shkon në kuotën e 34 pikëve, në vendin e dytë të Serie A. Një pikë më shumë ka Napoli i vendit të parë. Milan-i i vendit të tretë ka dy pikë më pak. Napoli dhe Milan-i nuk e kanë luajtur ende ndeshjen e javës së 15.

Në sfidën tjetër, Roma e Jose Mourinho-s ka hedhur një hap tjetër fals. Verdhekuqtë humbën në “Renato Dall’Ara”, një ndeshje të cilën e dominuan. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla nuk pati asnjë minutë në dispozicion për këtë takim.

Goli i talentit 22-vjeçar suedez, Mattias Svanberg-ut, i dha fitoren skuadrës së drejtuar nga serbi, Sinisa Mihajlovic-i.

Me fitoren e arritur, Bologna ngjitet në kuotën e 21 pikëve në vendin e tetë në Serie A. Roma qëndron në vendin e pestë me 25 pikë.

Serie A do të vijojë në mbrëmje me dy sfidat e mbetura: Genoa – Milan dhe Sassuolo – Napoli.