Përballje

Inter – Bayern Munich, formacionet e mundshme me Asllanin që pritet të jetë titullar


Bayern Munich do të ballafaqohet me Inter-in në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Sa i përket renditjes, kjo ndeshje nuk do të vlejë fare, pasi që Bayern ka siguruar vendin e parë me 15 pikë dhe Inter vendin e dytë me 10 sosh.

Megjithatë, rivaliteti mes skuadrave pritet që ta bëjë këtë ndeshje interesante.

Te Inter-i do të vazhdojë të mungojë Marcelo Brozovic i dëmtuar dhe vendin e tij me shumë gjasë do ta marrë sonte mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani.

Asllani nuk ka pasur shumë minuta në fushë me Inter-in që prej se u transferua, por duke pasur parasysh që Inter do të përballet me Juventus-in në fundjavë, atëherë me gjasë futbollisti kuqezi do të luajë nga fillimi.

Që Kristjani mund të luajë nga minuta e parë, këtë e ka pranuar edhe trajneri i tij, Simone Inzaghi.

“Asllani po rritet shumë dhe po më vë në telashe. Gjithsesi kjo mund të jetë loja e duhur për Asllanin”, tha tekniku italian në konferencën për media.

Pra, kjo do të jetë një mundësi e mirë për Asllanin që t’i tregojë vlerat e tij në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Në anën tjetër mungesë e rëndësishme e zikaltërve është Romelo Lukaku, i cili përsëri u dëmtua.

Gjithashtu edhe te skuadra e Bayern-it do të ketë mungesa shumë të rëndësishme. Thomas Muller, Mathijs De Light, Leroy Sane, Manuel Neuer dhe Lukas Hernandez nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Julian Nagelsmann.

Bayern Munich: Ulreich, Mazraoui, Upamecano, Pavard, Davies; Sabitzer, Goretzka; Coman, Musiala, Mane; Choupo-Moting.

Inter: Onana; Skriniar, De Vrij, Acerbi; Dumfries, Barella, Asllani, Mkhitaryan, Dimarco; Dzeko, Martinez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore