Pajisje

Inteligjenca artificiale do të lërë ‘një numër serioz’ të papunësh


Përparimet në inteligjencën artificiale do të kërcënojnë punonjësit dhe do të krijojnë “një numër serioz” të atyre që do të humbasin punën gjatë dekadës së ardhshme.

Të paktën në këtë konkluzion ka dalë një prej bashkëthemeluesve të laboratorit të inteligjencës artificiale DeepMind, i cili ka qenë pionier i teknologjisë.

“Pa diskutim, shumë nga detyrat e zyrës do të duken shumë të ndryshme në pesë deri në 10 vitet e ardhshme, do të ketë një numër serioz të atyre që do t’i humbin dhe do të jenë shumë të pakënaqur, shumë të shqetësuar”.

Kështu ka thënë Mustafa Suleyman, i cili po fliste në Forumin Bridge të GIC në San Francisko të martën e 9 majit.

Suleyman u largua nga DeepMind vitin e kaluar dhe krijoi biznesin e tij chatbot, Inflection AI.

Vërshimi për përparimet në teknologji është zbutur nga frika se teksa mjetet e inteligjencës artificiale tronditin gjithçka, nga diagnostikimi mjekësor te mësimdhënia dhe shkrimi i kopjeve, një sërë punësh do të çrrënjosen.

Hulumtimet e fundit nga Goldman Sachs parashikuan se përparimet në inteligjencën artificiale gjeneruese mund të rrisin produktin vjetor të brendshëm bruto global me 7 për qind gjatë një periudhe 10-vjeçare për shkak të produktivitetit të përmirësuar.

Megjithatë, kjo mund të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në fuqinë punëtore, me rreth 300 milionë vende pune të ekspozuara potencialisht ndaj automatizimit.

Sipas Sulejman, qeveritë do të duhet të mendojnë se si do të mbështesin ata që do t’u shkatërrohen vendet e punës, me të ardhurat bazë universale si një zgjidhje të mundshme.

“Kjo ka nevojë për kompensim material. Kjo është një masë politike dhe ekonomike për të cilën duhet të fillojmë të flasim në mënyrë serioze”, ka vijuar ai.

Start up-et e inteligjencës artificiale kanë bërë hapa të mëdhenj teknologjikë në gjashtë muajt e fundit dhe kompanitë kanë derdhur miliarda dollarë investime në bizneset e reja në këtë sektor.

Microsoft investoi shumë në OpenAI krijuesin e ChatGPT në fillim të këtij viti, duke e vlerësuar kompaninë në rreth 30 miliardë dollarë.

Hedhja në treg e një sërë mjetesh si ChatGPT kanë vënë në qendër të vëmendjes inteligjencën artificiale gjeneruese dhe kanë dërguar një valë zhurme të valëzuar në komunitetin e investimeve teknologjike.

Google, i cili bleu DeepMind në vitin 2014, ka zhvilluar modelet e veta të gjuhës si LaMDA dhe PalM. Por kompania u kap nga prezantimi i ChatGPT në nëntor të vitit të kaluar.

Me LaMDA, “ne kishim ChatGPT një vit e gjysmë përpara. Ishte zhgënjyese, përtej frustrimit të shihje ChatGPT të shpërthejë”, ka thënë Suleyman.

Po ashtu ai ka shtuar se Google-i ishte fort në luftën për të dominuar valën e re të mjeteve të inteligjencës artificiale, por ChatGPT i kishte bërë ata “të kërcejnë pak”.

Gara e armatimit midis Microsoft, Google dhe një sërë krijuesish të tjerë chatbot, përfshirë Inflection dhe Cohere, të cilat mblodhën 250 milionë dollarë me një vlerësim prej 2 miliardë dollarësh javën e kaluar, po i shtyn kufijtë.

“Dekada e fundit është përcaktuar nga klasifikimi dhe përkufizimi, tani ne po shikojmë ndërveprimin, ngurtësia e formatit do të bjerë dhe gjithçka do të ndihet më dinamike dhe e personalizuar”, ka theksuar Suleyman.

Kompania e tij hodhi në treg chatbot-in e vet Pi, për inteligjencën e personalizuar, javën e kaluar.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore