Shqipëria

‘Integrimi’, Dumani: Ngarkesë me dosjet e mbartura, ka rënë numri i referimeve nga institucionet publike


Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani duke raportuar në Këshillin e Integrimit theksoi se lufta kundër krimit ka pësuar ngritje cilësore, por “korrupsioni është në nivele të larta”.

“Në 2023 janë rritur pasuritë e sekuestruara e konfiskuara. Kemi adresuar rekomandimet e BE, ngritëm grup pune për hetime pasurore”.

Dumani theksoi gjithashtu se SPAK luajti një rol të rëndësishëm për nxjerrjen e listës gri për 2023.

“U rrit në mënyrë cilësore dhe lufta ndaj krimit të organizuar. Kishim kontakte dhe bashkëpunim të mirë edhe me homologët rajonalë”.

Shqetësuese për SPAK, sipas Dumanit janë dosjet e mbartura.

“SPAK do të përgatisë një strategji të veçantë për këtë aspekt. Një rekomandim tjetër ishte përgatitja e një strategjie komunikimi me publikun për të cilën po punohet edhe falë ndihmës nga ekspertët ndërkombëtar. Problem është dhe mungesa e përcaktimit të statusit ligjor pas përfundimit të mandatit të prokurorit të SPAK. Presim që Kuvendi ti japë zgjidhje kësaj problematike. Po ashtu edhe mungesa e këshilltarëve ligjor. SPAK përfaqësojnë çështje në tre shkallë të gjykimit, e herë pas herë dhe në GJK. Pasja e këshilltarëve ligjor do të ndihmonte shumë”.

Ndërsa, kryeprokurori Olsian Çela në mbledhjen e sotme në Këshillin Kombëtar të Integrimit bëri dhe një bilanc të punës për vitin 2023.

“32 çështje për korrupsion i janë dërguar SPAK për kompetencë. Është për tu theksuar një pjesë e mirë e çështjeve, në të paktën 6 raste vijnë nga metodat speciale të hetimit”, vuri në dukje kryeprokurori Çela.

Ky i fundit shtoi se një tjetër prioritet ka qenë dhe pastrimi i parave dhe fokusi i është dhënë dhe hetimit financiar.

“Në vetëm dy çështje në një rast u sekuestruan llogaritë bankare të 15 shoqërive me vlerë 5.8 mln euro. Në çështjen e dytë u sekuestruan 1.8 mln euro. Sa i takon krimit kibernetik ka një tendencë në rritje”.

Në mbledhje është dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i cili në fjalën e tij nënvizoi mbështetjen për sundimin e ligjit dhe Reformës në Drejtësi.

Gonzato tha se ka disa çështje kyçe që kanë vëmendjen e BE-së dhe se sfidë mbeten çështjet e mbartura në gjykata. Gonzato po ashtu theksoi se është nevojë urgjente zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Diskriminimin.

“Shqipëria po vendoset në të njëjtën fushë me shtete anëtare të BE-së. Ne kemi dhe planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor. BE ka qenë një mbështetës i palëkundur dhe i fortë i Reformës në Drejtësi. Vijojmë me monitorimin e kësaj reforme. Ka disa çështje që kërkojnë vëmendjen tonë. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore, pasi çështjet e mbartura në gjykata duhet të ulen”.

Sipas tij, pavarësia e gjyqësorit është themelore, i cili vijon me një sistem të fortë vetëqeverisës.

“Ne presim jo vetëm punë të fortë por edhe vullnet politik. Nevojë urgjente që ka parlamenti për të trajtuar emërimin e Avokatit të Popullit, por edhe komisionerit të Anti-Diskriminimit. Standardet e vettingut duhet të ruhen edhe pasi të ketë përfunduar procesi i vettingut. Ne kemi sjellë dhe do të vijojmë të sjellim asistencën e duhur teknike”.

Këshilli i Integrimit/ Gonzato: Nevojë urgjente për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Diskriminimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore