“5 vjet nga Reforma në Drejtësi”, institucionet të gatshme për bashkëpunim

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
23.07.2021 11:16
Loading Icons...

Në tryezën me temë “5 vjet nga Reforma në Drejtësi”, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Institucioneve më të larta të Drejtësisë në Shqipëri.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Gent Ibrahimi, në fjalën e tij ka theksuar bashkëpunimin mes institucioneve të drejtësisë.

“Për të gjitha institucionet është koha për të dhënë rezultate dhe ne jemi duke e bërë, diku më të dukshme diku jo, është një moment i rëndësishëm që të kornizohet në një strategji të efekte”, tha kreu i KLP-së.

Nga ana tjetër Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, u shpreh së është koha për të justifikuar besimin te drejtësia.

“Iku epoka e ngritjes së institucioneve, është koha e rezultateve për të justifikuar besimin te drejtësia”, tha Metani.

Sipas tij, kjo është sfida e së ardhmes.

Në fjalën e saj, Vitore Tusha, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, paraqiti rezultatet e një viti të realizuar nga kjo Gjykatë.

Sipas saj Kushtetuesja ka shqyrtuar 125 çështje brenda vitit. Ajo ka sqaruar se anëtarët e saj, janë kompetencë e presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë.

“Ndryshimet prekën edhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, Gjykata nuk ka ende një vendimmarrje për kërkesat individuale, pasi kërkuesit nuk kanë mundur të plotësojnë kërkesat paraprake, që ka të bëjë me shterimin e mjeteve juridike”, sqaroi ajo në fjalën e saj.

Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ai ka deklaruar se puna në këtë Gjykatë nuk është më aq e pashpresë sa ishte në fillim.

“Është ndeshur me sfida që në emërimin e gjykatës së parë që nuk ishin të lehta për t’u përballuar, por situata nuk është më aq e pashpresë në momentin e parë se në një volum të madh prej 36 mijë dosjesh”, u shpreh Sadushi në fjalimin e tij.

Në një linjë mendimi me ministren e Drejtësisë ka qenë kryeprokurori, Olsian Çela.

Çela ka kërkuar ndryshim urgjent të hartës së re gjyqësore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor më herët në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka hartuar një projekt për Hartën e re Gjyqësore.

Sipas projektit Këshilli ka propozuar që nga “22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, gjashtë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe gjashtë gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative në shkallë të parë, dhe një gjykatë apeli”.