Shqipëria

INSTAT: Eksportet rriten me 26,3 % në muajin tetor – bilanci tregtar në favor të importeve


Instituti i Statistikave ka publikuar raportin e tregtisë së jashtme të mallrave për muajin tetor 2021.

Raporti tregon një rritje të eksporteve për tetorin me 26,3 % krahasuar me një vit më parë.

Gjithashtu importet regjistruan rritje me 29,2 %, duke thelluar kështu defiçitin e bilancit tregtar me 31,6% në krahasim me një vit më parë dhe me 19,1 % në krahasim me muajin paraardhës.

Bilanci tregtar për Shqipërinë vijon të jetë ndjeshëm në favor të importeve.

Në dhjetëmujorin e parë, janë eksportuar mallra në vlerën 300 miliardë lekë dhe janë importuar mallra në vlerën 632 miliardë lekë.

Ndikim kryesor në rritjen e eksporteve e ka patur grupi i “Materiale ndërtimi dhe materiale”, me 14,3 pikë përqindje më shumë në një muaj.

Në anën tjetër kanë ndikuar negativisht grupet “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me -0,1 pikë përqindje.

Importet kanë regjistruar rritje me 29,2 % nga e njejta periudhë e një viti më parë.

Rritja është ndikuar nga grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 11,0 pikë përqindje më shumë dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,1 pikë përqindje.

Vendet më të cilat Shqipëria ka patur rritje të aktivitetit tregtar në kahun e eksporteve, krahasuar me tetorin e 2020-ës, janë Italia (15,2 %), Kosova (22,7 %) dhe Spanja (103,5 %).

Më pak mallra shqiptare kanë shkuar drejt Italisë (10,0 %) dhe Mbretërisë së Bashkuar (45,6 %).

Në importe, ka patur rritje të importeve krahasuar me tetorin e 2020-ës nga Italia (19,2 %), Turqia (45,8 %) dhe Greqia (26,1 %).

Në krahun tjetër, janë reduktuar importet e mallrave që vijnë nga Gjermania (5,2 %), Zvicra (34,5 %) dhe Austria (16,2 %).

Partneri kryesor i Shqipërisë në marrdhëniet tregtare vijon të jetë BE-ja me 60,0 % të të gjithë vëllimit tregtar.

73,5 % e eksporteve shqiptare shkojnë drejt BE-së.

Në nivel shtetesh, Italia me 30,1 % dhe Turqia me 7,7 % janë partnerët tregtarë me peshën më të madhe për Shqipërinë në muajin tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore