Aplikacione

Instagram-i kërkon falje për përmbajtjen e dëmshme


Media sociale, Instagram, ka kërkuar falje pas një “gabimi” në algoritmin e platformës që ka promovuar përmbajtje diete te përdoruesit, të cilët kanë çrregullime të të ngrënit.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se gabimi ndodhi për shkak të funksionit të kërkimit, i cili rekomandoi automatikisht terma të cilat kishin të bënin me dietat të tilla si ndërprerja e oreksit.

Kjo ndodhi nuk u la në hije. Aktivistët e çrregullimeve të të ngrënit kanë thënë se paraqitja e përmbajtjes mund të shkaktonte sërish çrregullime te njerëzit e pambrojtur, madje mund të rikthente problemet e mëparshme.

Mirëpo, platforma e medias sociale ka reaguar menjëherë duke i hequr termat e dëmshëm.

Këtë e ka bërë me dije për BBC një nga zëdhënësit e Facebook-ut, zotëruesit të Instagram-it, duke u shprehur se përmbajtja e rekomanduar ishte një “gabim” dhe se çështja u zgjidh.

Ai shtoi se “kohët e fundit kemi prezantuar një funksionalitet të ri kërkimi në Instagram, përtej hashtag-eve dhe emrave të përdoruesve, për të ndihmuar të zbuloni dhe eksploroni më lehtë përmbajtjen për të cilën jeni më të interesuar”.

Lidhur me veçorinë e re, zëdhënësi i Facebook-ut ka sqaruar se kur shtypet shiriti i kërkimit, mundësohet sugjerimi automatik i temave për të cilat përdoruesi mund të dëshirojë të kërkojë.

“Këto sugjerime, si dhe vetë rezultatet e kërkimit, janë të kufizuara në interesat e përgjithshëm dhe humbja e peshës nuk duhet të ishte një prej tyre”, u shpreh ai.

Një nga influencueset në median sociale, Lauren Black, e cila ka vuajtur nga anoreksia, ka thënë se në aplikacion promovohen shpesh imazhe të numërimit të kalorive apo metodave dietetike.

“Njerëzit shkojnë në Instagram për një mbështetje ndaj sëmundjeve të tyre. Por, nëse shikoni dhe hulumtoni për rikuperimin e çrregullimeve të të ngrënit, atëherë Instagram-i thjesht hedh gjëra të dëmshme ndaj jush, çka mund të jetë vërtetë e dëmshme”, ka thënë ajo.

Prandaj dhe ka sugjeruar që imazhet nxitëse të humbjes në peshë duhet të ndalohen në mënyrë që përdoruesit të mos bombardohen përditë me to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore