Kosova

Inspektorati njofton se ka mbyllur mbi 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se janë mbyllur mbi 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate.

Sipas njoftimit, nga data 3 qershor deri më 8 qershor të këtij viti, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka realizuar një aksion të gjerë të inspektimit te kompanitë të cilat ushtrojnë këto veprimtari.

“Aksioni i përbashkët ka rezultuar me mbyllje të përkohshme të mbi 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”, kanë shkruar në Facebook nga Ministria.

Nga 90 kompani sa janë inspektuar, përpos mbylljes së 30 prej tyre, u shqiptuan edhe 50 gjoba.

“Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar afër 50 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Më tej, ata theksuan se do të vazhdojnë inspektimet ditët në vijim dhe nëse konstatohen shkelje do të ndërmerren veprime konkrete për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore