Lajme

“Insinuatat e pushtetit janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim”, Këshilli Prokurorial pas shkarkimit të Agron Bekës


Ilustrim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), e ka vlerësuar si shkelje ligjore vendimin e Kuvendit të Kosovës për të shkarkuar Agron Bekën, nga pozita e anëtarit të KPK-së.

KPK ka thënë se institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.

“KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor”.

“Kjo ndërhyrje për KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas KPK-së, Beka kishte ofruar mjaft dëshmi të cilat tregonin se nuk kishte arsye ligjore për shkarkimin e tij.

“Agron Beka ka ofruar një mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkimi joligjor, andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar”.

“Kjo vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e z.Beka, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës.

KPK-ja e ka vlerësuar Agron Bekën, gjatë angazhimit të tij se nuk ka pasur asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës dhe asnjë shkelje e aq më pak procedurë.

“Por, me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese. Këshilli Prokurorial i Kosovës, shpreh bindjen se z.Agron Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i KPK-së dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron”.

“Por, tashmë tendenca ka marrë hov dhe shkarkimi i tij është një dëshmi e pamohueshme se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend”.

Ndërsa, ka paralajmëruar se do të përdorë të gjithë mekanizmat e saj kushtetues dhe ligjor “për ta kontestuar këtë paligjshmëri që bëri sot pushteti ndaj KPK-së”.

Kuvendi i Kosovës, e ka shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me 62 vota pro në seancën e së premtes.

Komisioni për Legjislacion kishte miratuar në fund të shtatorit këtë vit rekomandimin për shkarkimin e Bekës, kjo për shkak të raportimeve që ishin publikuar për përplasjet institucionale për Agron Bekën, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Në hulumtim shpërfaqej se si Agron Beka kishte ushtruar ndikimin si anëtar i KPK-së për polemikat në universitet që nuk ndërlidheshin me punën e tij në KPK.

Më 2 nëntor, shkarkimi i Bekës ishte pamundësuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mungesë kuorumi, ishte shtyrë për seancë tjetër votimi i rekomandimit për shkarkimin e anëtarit joprokuror në KPK.

Edhe më 19 tetor, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte shqyrtuar rekomandimin për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.

Pas inicimit të Komisionit për shkarkimin e Bekës, Këshilli Prokurorial pati akuzuar deputetët për tendencë për ndërhyrje e cenim të sistemit prokurorial.

KPK-ja kishte akuzuar Komisionin se e ka marrë vendimin pa i shqyrtuar të gjitha provat.

Më 25 shtator të 2023-ës është miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kuvendi shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit në KPK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore