Sport

Iniesta: Do të doja të kthehesha te Barcelona në të ardhmen e afërt


Ish-mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer në klubin e tij të fëmijërisë pasi i dha fund periudhës së tij me Vissel Kobe-n.

Iniesta, 38 vjeç, u largua nga gjiganti katalanas për t’iu bashkuar Vissel Kobe-t në një transferim të lirë në verën e vitit 2018. Gjatë qëndrimit të tij 16-vjeçar në Camp Nou, ai ndihmoi Blaugranat të ngrinin 30 trofe, përfshirë nëntë tituj të La Ligës dhe katër të Champions League.

I konsideruar si një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, Iniesta shënoi 57 gola dhe kontribuoi me 138 asistime në 674 paraqitje për Barcelonën.

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2010 ka përsëritur gjithashtu suksesin e tij për Vissel Kobe. Ai ka ndihmuar skuadrën e J1 League për të ngritur dy trofe, duke regjistruar 26 gola dhe 25 asistime në 126 ndeshje në këtë proces.

Duke folur për Gazzetta Dello Sport, Iniesta pohoi se dëshiron të kthehet te gjigantët e La Ligës në të ardhmen e afërt.

“Do të kaloj edhe një vit këtu [në Japoni] dhe më pas do të shohim. Do të doja të kthehesha në Barcelonë, është shtëpia ime, por nuk e di në cilin rol: si trajner, drejtor sportiv apo diçka tjetër. Në çdo rast, do të më duhet të formoj veten. Unë ende e shoh veten si një futbollist”.

Ndërkohë, Blaugrana-t aktualisht janë në rrezik të eliminimit nga faza e grupeve e UEFA Champions League 2022-2023. Klubi do të përballet me Inter-in në Camp Nou të mërkurën (12 tetor) pasi ra në një humbje të diskutueshme 1-0 javën e kaluar.

I pyetur për ndeshjen e ardhshme, Iniesta shtoi:

“Një fitore është vendimtare për Barcelonën për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Interi ka një ekip të madh, kështu që do të jetë e vështirë. Unë pres që Barcelona të marrë iniciativën, ndërsa Inter-i do të mbrohet thellë, duke qenë se një barazim do të ishte një rezultat i mirë për ata”.

Barcelona aktualisht është e treta në Grupin C të Champions League me tre pikë nga tre ndeshje. Nga ana tjetër, klubi është në krye të tabelës së La Ligës me 22 pikë nga tetë ndeshje.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të klubit, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta konfirmoi se skuadra e La Ligës do të nderojë superyllin e Paris Saint-Germain (PSG), Lionel Messi.

“Ne do të ndërtojmë një statujë të Leo Messi-t jashtë Camp Nou. Vendimi është marrë”.

Messi, 35 vjeç, e udhëhoqi klubin drejt 35 trofeve gjatë qëndrimit të tij 17-vjeçar në Camp Nou, duke regjistruar 975 kontributenë  gola në 778 ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore