Sport

Iniesta: Do të dëshiroja rikthimin te Barcelona


Iniesta nuk e harron Barcelonën.

Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, që aktualisht luan me Vissel Kobe, në Japoni, ndjek çdo ndeshje të katalunasve.

Në një intervistë për Gerard Romero-n, ai nuk e ka përjashtuar një rikthim të mundshëm te Barcelona.

“Do të dëshiroja rikthimin te Barcelona”, filloi ai.

“Dua të ndihmoj institucionin – ka shumë gjëra të përfshira prandaj është e vështirë të parashikoj të ardhmen”, vazhdoi Andres.

“Barcelona është shtëpia ime”, shtoi spanjolli, “dhe askund nuk mund të jem siç isha aty”.

Iniesta tha që sot e kësaj dite ende mendon që të luaj dhe ajo është gjëja kryesore, por me vitet që po shtohen, ai është i detyruar të mendojë edhe për pensionimin.

“Shumë herë më shkon në mendje që do të më pëlqente të isha trajneri ose të merrja përsipër rolin e drejtorit sportiv – dua të jem i lidhur me futbollin, normalisht”, u shpreh maestro i mesfushës.

“Unë tashmë jam si çdo tifoz tjetër i Barcelonës, dhe e dua atë që e duan të gjithë, pra rikthimin në formën më të mirë”.

Mirëpo, ai e ceku që çdo skuadër kalon në momente të vështira dhe se është 100% i sigurt që gjithçka do të rikthehet ashtu siç ka qenë dikur.

Ai foli edhe Pedri-n, atë që njerëzit e konsiderojnë si pasardhësi i tij te katalunasit.

“Sigurisht, ai do të jetë një referencë për klubin dhe ekipin kombëtar – i kam treguar atij për situata që kam përjetuar, krahasimet me të tjerët”.

“Ai duhet të jetë vetvetja, të shijoj lojën dhe të rritet edhe më shumë”, tha ai.

Në fund, ai foli edhe për Gavi-n dhe Nico-n, që i konsideroi si dy futbollistë me “talent brutal”.

“Mos harroni moshën e tyre, ata po jetojnë në mënyrën më të mirë në kohën më të vështirë – duhet medoemos të vazhdojnë punën dhe të arrijnë majat”.

Iniesta me shumë mundësi do të vazhdojë futbollin e luajtur edhe pas këtij sezoni, e më pas, nuk përjashtohet një rikthim te Barcelona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore