Lajme

Iniciativa diplomatike, gazeta zvicerane: Derisa BE-ja po punon me Beogradin, amerikanët janë përgjegjës për Kosovën


Albin Kurti, Miroslav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç

Gazetari dhe ish-korrespodenti i gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung në Serbi, Andreas Ernst, në një artikull të publikuar të enjten, shkruan se vizita e fundit e top diplomatëve evropiano-amerikanë në rajon në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, erdhi në formën e një gjysmë-ultimatumi, sidomos për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb, në një konferencë për media të hënën, tha se Serbia e ka të vështirë ta refuzojë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, sepse “pesëshja e madhe” që i shkuan në zyrë më 20 janar ia bënë të ditura sanksionet e shumta me të cilat do të ballafaqohej.

“Serbia ka përvojë historike me ultimatumet. Pas vrasjes së Sarajevës, në vitin 1914, Austro-Hungaria kërkoi që Beogradi të linte hetuesit austriakë në vend. Në vitin 1999, fuqitë perëndimore i kërkuan Serbisë që t’ia lëshonte kontrollin e Kosovës NATO-s. Në të dyja rastet Beogradi refuzoi dhe në të dyja rastet erdhi sulmi”, shkroi Ernst duke iu referuar fjalimit të Vuçiç-it.

Mirëpo, në të njëjtën pozitë është pak a shumë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi Ernst në artikullin e tij, por ai nuk mund t’i rezistojë presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi shihet si garantuese e ekzistencës së shtetit kosovar.

Emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen vullnet apo mënyrë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, administrata amerikane do të kërkojë “partnerë alternativë”, duke shtuar se një njeri nuk mund t’i ikë këtij obligimve të Kosovës.

Në ndërkohë, në linjë me paralajmërimin e Escobar-it, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë dërgoi të martën ftesa për takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike për diskutime më të detajuara lidhur me propozimet dhe përgatitjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mekanizëm që do t’iu jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë.

“Derisa BE-ja po punon me Beogradin, amerikanët janë përgjegjës për Kosovën. Për shkak se Kurti refuzon rreptësisht të lejojë një bashkësi gjysmë autonome të komunitetit serb në Kosovë, ambasada amerikane i ka marrë gjërat në duart e veta dhe po fillon konsultimet me partitë dhe OJQ-të”, shkruan Ernst.

“Qëllimi është të përdoren forcat e kombinuara për të arritur atë që Brukseli dhe Uashingtoni e shohin si një kompromis: Serbia de facto e njeh Kosovën, në këmbim të së cilës Kosova u jep autonomi serbëve të saj”, shtoi tutje ai.

Megjithatë, siç vëren gazetari zviceran, në fund të fundit është e qartë se njohja faktike do të pasohet nga ajo juridike dhe më e rëndësishmja, Perëndimi ka potencial të madh për sanksione që mund t’i përdorë kundër Prishtinës dhe Beogradit nëse refuzojnë marrëveshjen.

“Ajo që funksiononte dikur, premtimi për anëtarësim në BE, e ka humbur besueshmërinë. Kosova dhe Serbia e dinë se pengesat e anëtarësimit janë të pakapërcyeshme. Edhe një herë tregon se BE-ja ka nevojë për forma të reja integrimi për shtetet nëse dëshiron të veprojë me sukses”, përfundoi ai.

Në një periudhë përpjekjesh për gjetjen e një rruge drejt një “marrëveshjeje finale” në bazë të propozimit franko-gjerman e në frymën e kompromisit, të premten në Prishtinë dhe Beograd zbarkuan një ushtri diplomatësh, jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen dhe për të vazhduar tutje.

Zbarkimin e Uashingtonit, Parisit, Berlinit, Brukselit e Romës në kryeqytetet respektive, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e quajti “sinjal në vetvete” teksa përmendi peshën e atij delegacioni të përbërë nga top-diplomatë si Gabriel Escobar, Jens Plotner, Emmanuel Bonne dhe Francesco Talo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore