Financa

Inflacioni në SHBA rritet teksa kostot e karburantit dhe banesave shtohen


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimet e konsumit rezultojnë se janë rritur më shpejt nga sa pritej muajin e kaluar.

Çmimet u rritën me 3.5 për qind gjatë 12 muajve deri në mars, nga 3.2 për qind në shkurt, ka bërë me dije Departamenti amerikan i Punës.

Sakaq, rezulton se rritja ka ardhur si pasojë e shpenzimeve më të larta për karburantin, strehimin, ngrënien dhe veshjet.

Analistët paralajmëruan se mungesa e progresit në frenimin e rritjes së çmimeve do ta detyrojë bankën qendrore të SHBA-ve të mbajë normat e interesit më të larta për më gjatë.

Normat më të larta ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve duke e bërë më të shtrenjtë huamarrjen për zgjerimet e biznesit dhe shpenzimet e tjera.

Në teori, kjo nga ana tjetër ngadalëson ekonominë dhe lehtëson presionet që rrisin çmimet.

Norma bazë e interesit e Rezervës Federale është tani në nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada, në intervalin 5.25%-5.5%.

Parashikuesit kishin pritur që banka të fillonte të ulte kostot e huamarrjes këtë vit, duke reflektuar faktin se norma e inflacionit, e cila ndjek ritmin e rritjes së çmimeve, ka rënë ndjeshëm që kur arriti në 9.1 për qind në vitin 2022.

Por të dhënat e fundit ekonomike, përfshirë shifrat e forta të krijimit të vendeve të punës javën e kaluar, kanë ngritur dyshime se sa shpejt mund të vijnë këto shkurtime.

Aksionet në Wall Street u mbyllën më poshtë të mërkurën pasi investitorët kishin vënë baste se normat së shpejti mund të uleshin.

Analistët, të cilët dikur prisnin ulje të normave që në mars, kanë rishikuar me shpejtësi bastet, me shumë njerëz që tani nuk presin ndonjë deri në fund të kësaj vere dhe disa parashikojnë se banka mund të presë deri në vitin e ardhshëm.

Çka vendos të bëjë Rezerva Federale, Fed, ka të ngjarë të formësojë vendimet e bankave qendrore në mbarë botën, sipas Neil Birrell, shefi i investimeve në Premier Miton Diversified Funds.

Inflacioni u ftoh me shpejtësi gjatë vitit 2023 pasi problemet e furnizimit të epokës së pandemisë u shëruan dhe rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, u zbeh.

Por ai ende mbetet më i lartë se objektivi i bankës prej 2 për qind.

Një rritje e çmimeve të naftës në muajt e fundit ka rritur gjithashtu kostot e energjisë, ndërsa çmimet për shërbimet tregojnë pak shenja stabilizimi.

Departamenti i Punës ka deklaruar se çmimet ishin rritur me 0.4 për qind nga marsi në shkurt, njësoj si në shkurt.

Kostot e larta të benzinës dhe banesave përbënin më shumë se gjysmën e rritjes.

Sigurimi i automjeteve, kujdesi mjekësor dhe kostot për internet gjithashtu kanë kontribuuar në rritje.

I ashtuquajturi inflacion bazë, i cili shihet nga ekonomistët si një tregues më i mirë i tendencave të ardhshme, sepse nuk përfshin çmimet më të paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, qëndroi në 3.8 për qind, njësoj si në shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore