Kosova

Infektologu: “Vaksinohuni dhe mbrohuni”


Apeli i institucioneve shëndetësore në Kosovë për vaksinim, ditëve të fundit është shtuar dukshëm.

Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, organizata e mjek të ndryshëm vazhdimisht u bëjnë thirrje qytetarëve që të imunizohen kundër COVID-19.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit, në fund të muajit mars të këtij viti e deri të enjten, në Kosovë janë vaksinuar 400 mijë e 217 qytetarë, me dy dozat e vaksinës. Ndërsa vetëm brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar 12 mijë e 123 qytetarë.

Rritja e rasteve me COVID-19, së fundi dhe paraqitja e rateve të reja me variantin Delta të COVID-19, kanë alarmuar infektologun Salih Ahmeti.

Ai ka deklaruar në një emision në Klan Kosova se rritja e shifrave së fundi, nuk është aq shqetësuese sa “mos marrja e masave në kohë, për të moniroruar situatën”.

“Edhe si vendet tjera evropiane ku është i pranishëm një variant i ri i virusit, që është një variant shqetësues për gjithë Evropën, duhet të jetë një variant shqetësues edhe për ne, pasi përhapet më shpejtë dhe është më kontragjoz, kjo pasohet me rrezikshmëri të shtimit të rasteve”

Infektologu Ahmeti apelon te qytetarët që të vaksinohen, por ka kërkuar kujdes të shtuar edhe për ata që vaksinohen pasi që imunizimi si proces, merr kohë më të gjatë se sa ditën e vaksinimit.

Ai ka treguar se në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka të shtrirë, pacientë të cilët kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

“Aktualisht kemi dy raste të shtrirë që kanë marrë vaksinat dhe janë prekur sërish me COVID-19. Qytetarët duhet ta kenë parasysh se imuniteti pas-vaksinal nuk arrihet menjëherë pas marrjes së vaksinës. Një imunitet i plotë vaksinal arrihet së paku dy javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës”.

“Ditët e fundit kemi evidentuar 10 raste të tillë, ku pesë raste e kanë marrë infeksionit pas dozës së parë të vaksinës”.

“Kjo ndodh për faktin sepse pas dozës së parë të vaksinës duhet të tejkalojnë tri javë që të krijohet një imunitet mbrojtës post-vaksinal. Ka qenë koincidencë që këta persona e kanë marrë virusin pasi nuk e kanë krijuar imunitetin kundër COVID-19 edhe pse e kanë marrë dozën e parë, pra imuniteti post-vaksinal fitohet tre javë pas marrjes së dozës së parë, ndërsa pasi merren të dy doza imuniteti post-vaksinal vjen dy javë pas vaksinimit”, ka thënë Ahmeti.

Salih Ahmeti tregon se Kosova ka ngecur në proces të vaksinimit, karshi vendeve të tjera të Evropës, kjo për shkak të hezitimit të qytetarëve që të vaksinohen për shkak të teorive konspirative rreth vaksinave.

Vaksinat e para erdhën më mbrëmjen e 28 marsit të këtij viti si donacion nga Unicef.

Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më pas kjo organizatë ka sjellë edhe një kontigjent me vaksina të tjera, dy muaj më vonë.

Më 12 maj të këtij viti, zyrtarë për medie nga Unicef, njoftuan se kanë sjellë edhe një kontingjenti prej 38,400 dozash të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë.

Me kontingjentin e pranuar këtë të mërkurë numri total i vaksinave të siguruara nëpërmjet Aleancës COVAX arrin në 62,400.

Donacione të vaksinave Kosova ka pranuar edhe nga disa shtete mike, deri më 28 qershor kur Qeveria arriti të sjellë kontingjentin e parë të vaksinave nga kompania Biotech/Pfizer, të blera nga Kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë me prodhuesin Pfizer.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë nuk u bë e ditur se sa vaksina kanë arritur por totali në kontingjentin e parë, por ministri ka njoftuar se nga kjo kompani pritet të sigurojnë mbi 1 milion vaksina deri në fund të vitit.

Që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës, Ministria e Shëndetësisë ka zbatuar planin kombëtar të vendosjes dhe fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore