Sport

Infantino: Kosova është një shtet i veçantë për mua


Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, ka vizituar Kosovën, për herë të parë, ku është takur me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama dhe Ministrin e Sporiti, Hajrulla Çekun.

Në një konferencë për media së bashku me kreun e FFK-së, Infantino e ka konsideruar si nder të madh vizitën në Kosovë.

“Për mua është një kënaqësi dhe nder të jem në Kosovë dhe të takohem me kryetarin e FFK-së Kosovës, me njerëzit, sepse Kosova është definitivisht një shtet i futbollit, është një shtet i veçantë për mua, sepse Kosova u bë anëtar i UEFA-s, në vitin kur u emërova kryetar i FIFA-s, besoj që është një shenjë e mire”, tha ai.

“Ne kishim takime të shumta sot, me kryeministrin, Presidenten e Shtetit, dhe takuam të gjithë komunitetin e futbollit, referat, sponsorat dhe të gjithë”, shtoi Infantino.

Presidenti i FIFA-s u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë, në lidhje me ndërtimin e stadiumit nacional.

“Diskutuam me udhëheqësit se si ta dërgojmë futbollin në një nivel tjetër. Biseduam për futbollin në shkollë, futbollin në akademi, për stadiumin nacional të këtij vendi, i cili do të ishte simbol i këtij shteti të ri. Jemi duke shikuar si të bashkëpunojmë për këtë. Dua të falënderoj Ademin që po bën një punë të jashtëzakonshme”.

Infantino, më tej nuk harroi të flas edhe për legjendën Fadil Vokrrin, për të cilin tha se gëzon respekt të madh.

“Dua ta kujtoj një person që ka qenë i afërt me mua, Fadil Vokrrin, të cilin e kam njohur para se të bëhem president i FIFA-s. Gjëja e parë që kam bërë kur kam ardhur këtu ka qenë të shkoj te stadiumi që mban emrin e tij dhe të vendosja lule para shtatores së tij”, u shpreh ai.

“Për mua ishte një nder i madh që isha për vizitë këtu dhe besoj se futbolli si te meshkujt ashtu edhe te femrat do të ketë sukses me këtë përkrahje që ka dhe do ta ketë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore