Lajme

Indonezi/ Merr flakë një rafineri nafte, evakuohen 1 mijë banorë


Një rafineri e naftës, në ishullin indonezian të Java, mori flakë të hënën herët. Si pasojë e kësaj, janë plagosur rëndë gjashtë veta dhe janë evakuar pothuajse 1 mijë banorë aty pranë.

Zjarri në rafinerinë e Balongas në Provincën Perëndimore të Javas filloi pak pas mesnatës dhe vazhdoi gjatë gjithë natës.

Pertamina, kompania shtetërore që operon rafinerinë, tha se nuk mund ta vlerësonte kohën kur zjarrfikësit mund të ishin në gjendje ta shuanin zjarrin, i cili dukej me kilometra larg.

Në videot e shpërndara në mediat sociale shikohen banorët duke vrapuar në panik nga zjarri. Autoritetet bëjnë më dije që një 61-vjeçar pësoi një sulm në zemër dhe vdiq.

Ifki Sukarya, një zëdhënës i kompanisë Pertamina, deklaroi që shkak për zjarrin mund të kishte qenë një goditje rrufeje.

“Shkaku i zjarrit nuk dihet me siguri, por në kohën e incidentit, po binte shi i shoqëruar me rrufe”, tha ai në një deklaratë.

Sukarya tha se fillimisht morën flakë tre depozita gjigande të magazinimit të benzinës. Ekipet e zjarrfikësve u përpoqën që flakët të mos përhapeshin në një rezervuar të katërt, por pa sukses.

Gjashtë personat, që u plagosën rëndë, jetuan pranë rafinerisë, shpjegoi ai.

Bëhet e ditur se 23 të tjerë morën trajtim për dëmtime të lehta.

Banorët raportuan dhe një erë të fortë të karburantit, e cila sëmuri disa njerëz.

Dy vjet më parë, kompania ishte përgjegjëse për një katastrofë tjetër.

Një sasi e madhe nafte e papërpunuar doli nga një pus në det dhe ndoti 12 milje të vijës bregdetare të Javas Perëndimore midis rafinerisë dhe Xhakartës.

Ambientalistët kritikuan kompaninë, duke thënë se ajo veproi shumë ngadalë për të parandaluar derdhjen.

Zyrtarët e ndërmarrjes thanë se shpresonin që rafineria vazhdonte funksionin brenda katër ose pesë ditësh.

Ata thanë se dëmtimi nga zjarri nuk ndikoi ndjeshëm në aktivitetin e rafinerisë, e cila furnizon zonën e Xhakartës.

Gjithashtu ata thanë se zjarri nuk do të rrezikonte furnizimin me karburant sepse kishte mjaft benzinë rezervë për të furnizuar vendin për rreth katër javë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore