Lajme

India drejt ndalimit të kriptovalutave private dhe nxjerrjes së monedhës digjitale zyrtare


Në Indi, qeveria po përgatitet të ndalojë kriptovalutat private dhe të lejojë bankën qendrore të lëshojë një monedhë zyrtare digjitale.

E përditshmja “The Guardian” tregon se, legjislacioni i propozuar pason një goditje ndaj kriptomonedhave në Kinë, ku rregullatorët financiarë dhe banka qendrore i kanë bërë të paligjshme të gjitha transaksionet e monedhës digjitale.

Ndërkaq, propozimet e Indisë janë shënuar në një buletin parlamentar që liston legjislacionin e ardhshëm, i cili përfshin një paragraf mbi “Kriptomonedhën dhe rregullimin e projektligjit zyrtar të monedhës digjitale, 2021”.

Ky propozim nuk është fare pa hapësira mbi përdorimin e kriptomonedhës.

“Për të krijuar një kornizë lehtësuese për monedhën zyrtare digjitale që do të emetohet nga Banka e Rezervës së Indisë, ligji kërkon të ndalojë të gjitha kriptovalutat private në Indi, megjithatë, ai lejon disa përjashtime për të promovuar teknologjinë themelore të kriptomonedhës dhe përdorimet e saj”, thuhet në të.

Narendra Modi, kryeministri i Indisë, ka pohuar javën e kaluar se kriptovalutat mund të “prishnin rininë”.

Kurse banka qendrore e vendit ka paralajmëruar vazhdimisht, në përputhje me bankat e tjera qendrore, se ato mund të paraqesin “shqetësime serioze për stabilitetin makroekonomik dhe financiar”.

El Salvador, në muajin shtator, u bë vendi i parë që pranoi Bitcoin-in si mjet ligjor.

Mirëpo, ekonomitë e mëdha kanë qenë të kujdesshme ndaj monedhave digjitale, me zëvendësguvernatorin e Bankës së Anglisë, Jon Cunliffe, që ka paralajmëruar se ato mund të shkaktojnë shkrirje financiare.

Megjithatë, Banka e Anglisë dhe Thesari do të nisin një konsultim zyrtar për një monedhë digjitale të bankës qendrore vitin e ardhshëm.

Lidhur me lëvizjen e Indisë, ajo shkaktoi shitje të mëdha në tregjet e monedhës digjitale në vend, dallon “The Guardian”.

Analizuesi i investimeve, Laith Khalaf, ka thënë se “plani i Indisë për të ndaluar kriptovalutat nuk ka shkaktuar të njëjtin dëm në çmimin e Bitcoin-it si goditja e Kinës”.

Megjithatë, “shënon një tjetër pengesë në përparimin e kriptove si një forcë ekonomike në botën reale”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore