Shqipëria

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, rritje muaj pas muaji në Shqipëri


Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT), përmes publikimit të raportit lidhur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin shkurt 2022, bën me dije se ndryshimi vjetor është 3,9 %.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,1 %. Ndryshimi mujor i IÇK-së në muajin shkurt, krahasuar me një muaj më parë, është 1,3 %.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me rritje 2,45 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me rritje 0,55 pikë përqindje.

Gjithashtu rritje kanë pësuar dhe çmimet e grupeve të tjera të shërbimeve.

Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë pasur rritje me 0,34 pikë përqindje. Ndërsa grupi “hotele, kafene dhe restorante” 0,13 pikë përqindje.

Duke bërë krahasimin me vitin paraardhës, të muajit shkurt rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “transporti” me 10,4 %, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,9 %.

Ndërsa, i vetmi grup që ka pësuar rënie është “shëndeti” me 0,1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,4 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10,1 %.

Gjithashtu rritje patën dhe “frutat” me 7 % dhe “bukë dhe drithëra” me 6,8 %.

Duke e krahasuar rritjen në muajin shkurt me atë të janarit 2022, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,2 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 1,8 %.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore