Incidenti në Leposaviq, Policia: Dy të dyshuarit janë të përfshirë në dhjetëra vepra kriminale

SHFLETO
Valon Rashiti
23.01.2023 19:50
Loading Icons...

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se dy personat që sulmuan policët në Leposaviç janë të përfshirë në dhjetëra vepra kriminale.

I dyshuari mashkull kosovar me iniciale D.S., dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, madje edhe për vrasje.

“Nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi 20 kundërvajtje”, thuhet në njoftim.

Edhe i dyshuari tjetër sipas policisë është i përfshirë në shumë vepra penale.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale M.D., dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova”.

Po ashtu sipas policisë, i njëjti ka kryer edhe tre kundërvajtje.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dy persona kanë goditur me dashje veturën e policisë dhe ka bërë të ditur se dhuna ndaj policëve nuk do të tolerohet.

“I brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata goditën me dashje veturën e PK-së dhe vunë në rrezik jetën e policëve. Policët e PK-së u detyruan të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

Patrulla e Policisë së Kosovës, është sulmuar gjatë kësaj të hëne në vendin e quajtur Bistricë në Komunën e Leposaviqit.

Sipas njoftimit të policisë, njësia policore ka qenë në pikë kontrolli dhe gjatë realizimit të detyrave ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës.

 

Sulmohet Policia e Kosovës në Leposaviq, pati dhe të shtëna