Kosova

Incidenti i Osmanit, Mexhiti: Punonjësit e sigurimit të aeroportit të Shkupit i tejkaluan kompetencat


Izet Mexhiti

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, duke folur për incidentin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit, ka thënë se punonjësit e sigurimit të aeroportit i kanë tejkaluar kompetencat.

“Është çështje e sigurimit të aeroportit të Shkupit. Aeroporti i Shkupit është privat dhe ka sigurimin e angazhuar privat që është jashtë Ministrisë së Brendshme. Ka pasur një keqkuptim dhe besoj se pas kësaj ka lëvizur sërish Presidentja dhe s’ka pasur problem. Tejkalim kompetencash nga punonjësit, jo politikë shtetërore. Vetë kryeministri e ka deklaruar se herën tjetër do e presë dhe përcjellë vetë Presidenten”, ka thënë Mexhiti në një intervistë për televizionin publik shqiptar.

I pyetur nëse në Maqedoni të Veriut ka ende racizëm ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë maqedonase ka theksuar se individë dhe grupe të tilla ka kudo, por në raport mes dy shteteve potencoi se janë dy shtete mike.

“Nëse flasim për politikat shtetërore jemi ndër të parët që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ka ndërtuar raporte miqësore. Kryeministri i parë që ka vizituar qeverinë në Maqedoni është Kurti. Kjo në diplomaci ka domethënien e vetë si dy shtete mike. Këtu janë dhe faktori shqiptar brenda qeverisë. Individë, grupe si gjithandej ka dhe këtu”, shtoi.

Në lidhje me incidentin e Presidentes Osmani, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të përballet me një interpelancë parlamentare, pasi që truprojat e tij kishin ndërhyrë në ngjarjen që i ndodhi Osmanit në aeroport.

Kërkesa për interpelancë ndaj Gashit është bërë nga deputetët e të majtës ekstreme “Levica”.

Nga zyra e Presidentes së Kosovës kanë akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, më 1 gusht, Presidentes Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit.

Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, tha se pavarësisht faktit që i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai  ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për t’i hapur rrugën”.

Në mbrëmjen e 2 gushtit, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shprehu “keqardhje për keqkuptimet që ndodhën gjatë udhëtimit të djeshëm të presidentes Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”.

Pala maqedonase më 1 gusht po ashtu tha se ka nisur hetimin e këtij rasti. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se pasi Osmani kaloi kontrollin kufitar, “erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.

“Kush i ka shkaktuar probleme Presidentes”, MPB-ja maqedonase për incidentin e Osmanit: Sigurimi i Gashit kërcënoi sigurimin e aeroportit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore